Në seancë të jashtëzakonshme qeveritare, u mor vendim për të ulur TVSH-në për benzinat dhe dizelin. Ulja nga 18 në 10 për qind do të nisë në mesnatë ndërmjet të hënës dhe të martës dhe kjo duhet të kontribuojë që të mos ketë rritje të çmimit të benzinave, ndërsa çmimi i dizelit të rritet deri në 3 denarë. Masa u mor sepse sipas llogaritjeve, nga nesër benzina do të duhej të rritej për 6,5, ndërsa dizeli për 10,5 denarë. Kryeministri Hristijan Mickoski pret që ky vendim i Qeverisë të zbatohet menjëherë.
“Presim që Komisioni Rregullator gjatë ditës së nesërme ta ketë parasysh këtë vendim të Qeverisë dhe me këtë të mos e rrisë çmimin e benzinave, pra ai do të lëvizë brenda kufijve të llogarive për karburantet dizel, sipas metodologjisë që deri tani është e zakonshme dhe e miratuar nga Komisioni Rregullator”, tha Hristijan Mickoski.
Me masën, Mickoski tha se do t’u kursejë qytetarëve rreth 200 mijë euro në ditë. Shtoi se shteti ka derivate të naftës, si në rezervat shtetërore ashtu edhe te kompanitë private. Niveli i tyre monitorohet çdo ditë dhe sipas nevojës do të veprohet. Ai theksoi se shumë ndihmë ka dhënë edhe funksionimi i tubacionit Selanik-Shkup.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme të thuhet, dhe kjo është se më në fund tubacioni, tubi i naftës është operacional dhe aty kemi sasi. Dhe në të kemi sasi nafte dhe derivatesh nafte, kështu që nga të gjitha aspektet jemi të siguruar në këtë moment”, deklaroi Mickoski.
Ai njoftoi se në këtë moment, edhe pse gati 10 për qind e sasisë së karburanteve e blejnë banorët e vendeve fqinje, nuk do të ketë ndalim që ata ta bëjnë këtë edhe më tej.
“Ajo Maqedoni që ishte e përkulur, që kërrusej për të marrë ndonjë donacion, tani reflekton stabilitet dhe paraqet një faktor sigurie për qytetarët e vendeve fqinje. Por, sigurisht, nëse paraqitet një sfidë e tillë, natyrisht do të marrim vendim ku do të kufizohet konsumimi, do të kufizohet edhe shuma”, tha ai.
Gjithashtu, gjendja rreth furnizimit me energji elektrike është stabile, sepse ka mjaft qymyr për TEC Manastir, ku funksionojnë dy blloqe, si dhe për TEC Osllomej. Të martën, në seancën e rregullt, Qeveria do të miratojë një sasi të vogël mazut për nevojat e centraleve. Gjithashtu, potenciali hidro është 40 për qind i maksimumit dhe pritet të rritet më tej. Është siguruar gaz për tërë muajin prill, që do të thotë se ngrohja e banorëve të Shkupit do të zhvillohet pa ndërprerje. Masa me TVSH-në e ulur do të zgjasë dy javë.
