Trajneri Silvinjo doli sot në konferencën për media nga “Shtëpia e Futbollit”, ku prezantoi edhe listën me 25 lojtarët e grumbulluar për dy sfidat me Andorrën dhe Anglinë.

Një nga pyetjet më pikante ishte për kriteret që ai vendos kur zgjedh një lojtar. Tema e dytë interesante ishte për Arbnor Mujën.

“Kriteri ynë ka qenë gjithmonë i tillë: nuk grumbullojmë një lojtar i cili luan 10 ndeshje me Realin, apo se nuk luan me ekipin e tij. Vjen sepse ne na intereson dhe e shohim se si përgjigjet në fushë. Dua të bëj një paralelizëm me situatën e Rey Manajt. Dy muaj më parë Manaj supozohej se duhet të ishte jashtë listës, se humbi penalltinë me Serbinë. Unë mund të flas për Manajn se e njoh që nga viti 2014. Pas 97 ditësh, pas penalltisë së humbur me Serbinë në shtëpi, ishte një lojtar që nuk vlente për kombëtaren, nuk bën, nuk ka lidhje. Por Manaj duhet, u bë hero me golin e shënuar ndaj Serbisë. Nuk ishte as i dobët dhe as hero, është një lojtar që po bën mirë dhe përfaqëson fanellën tonë, si shumë lojtarë të tjerë. Unë si çdo trajner, nuk mund të punoj shumë mbi “më shërben apo jo”. Bajrami është kryegolashënuesi, nuk mund të them “nuk më shërben”. Ne duhet të arsyetojmë e të vendosim besim që të shkojnë në fushë dhe përfaqësojnë fanellën. Në katër sfidat e fundit kemi fituar katër ndeshje. Djemtë më japin besim, i marr dhe në fushë ata po bëjnë mirë. Mendoj se ky është kriteri. Kemi bërë shumë ndryshime në 3 vite, por kjo është pyetje që mund ta diskutojmë edhe në vijim”.

“Arbnor Muja? Shiko, janë dy gjëra të ndryshme, kriteri dhe karakteristikat e lojtarëve. Muja ka qenë pjesë e Kombëtares gjatë kualifikueseve të Europianit, por është një lojtar i cili ka më shumë karakteristika si një mesfushor i avancuar në krah. Puna e tij është më shumë si ekuilibrues i skuadrës, me aftësi fizike dhe inteligjent me topin. Nga ana tjetër ne na duhen lojtarë që arrijnë të shënojnë gol dhe kanë kapacitet për të prodhuar në fazën ofensive. Te ne Broja ka marrë këtë vend se është sulmues, Asani i cili është një nga golashënuesit. Muja është pak më ndryshe, është më shumë mesfushor që ekuilibron skuadrën. Është çështje karakteristikash. Kemi Brojën dhe Uzunin që kanë më shumë karakteristika sulmuesi”, tha tekniku brazilian.

The post “Unë nuk marr lojtarë që luajnë 10 ndeshje me Realin, por një që…” appeared first on Telesport.