Ekipi shqiptar, nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, mori pjesë në edicionin e pestë të Unity EURO Cup 2026, turneut të organizuar nga UEFA në partneritet me UNHCR, që u zhvillua më 15 tetor në Coverciano, Itali, me pjesëmarrjen rekord të 22 ekipeve nga Europa.
Përfaqësuesja shqiptare zhvilloi tri ndeshje ndaj Austrisë, Letonisë dhe Rumanisë, duke u bërë pjesë e një aktiviteti që vendos në qendër fuqinë e futbollit për të bashkuar njerëzit, pavarësisht prejardhjes dhe rrethanave të tyre.
Unity EURO Cup është një nismë që synon të promovojë integrimin social të refugjatëve dhe të krijojë ura lidhëse me komunitetet pritëse. Në këtë turne, ekipet përbëhen nga futbollistë e futbolliste refugjatë dhe përfaqësues të komuniteteve pritëse, duke dëshmuar se futbolli mund të krijojë mundësi për pjesëmarrje, bashkëpunim dhe përkatësi.
Edicioni i këtij viti mblodhi 22 ekipe, katër më shumë se në vitin 2025. Në fushë, përtej garës sportive, u përcollën mesazhe të forta solidariteti, respekti të ndërsjellë dhe miqësie. Titullin e këtij edicioni e fitoi Letonia, pas fitores 2-1 ndaj Republikës së Irlandës në finale.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë aktivitet përfaqëson një tjetër mundësi për të promovuar vlerat e futbollit si mjet gjithëpërfshirjeje dhe integrimi, duke dëshmuar se ndikimi i sportit shkon përtej rezultateve dhe shtrihet në jetën e njerëzve dhe komuniteteve.
Unity EURO Cup është pjesë e Strategjisë së UEFA-s për Qëndrueshmërinë në Futboll 2030, përmes së cilës UEFA dhe UNHCR mbështesin përfshirjen e refugjatëve dhe personave të zhvendosur përmes futbollit.
The post Unity EURO Cup 2026: Shqipëria merr pjesë për herë të pestë në turneun europian që promovon gjithëpërfshirjen përmes futbollit appeared first on Telesport.
