Polonia vjen në gjysmëfinalen e “playo ff”-it për Kupën e Botës kundër Shqipërisë me një rekord të fortë në këto ndeshje, por trajneri Jan Urban tha të mërkurën se sukseset e kaluara kanë pak rëndësi përballë një kundërshtari të njohur. Polonia arriti në Botërorin e fundit përmes “play off”-it, u kualifikua edhe në “Euro 2024” në të njëjtën mënyrë, me shumë lojtarë aktualë që i kanë kaluar këto sprova me presion.
“Po, ata kanë përvojë, sigurisht që po, – tha Urban para ndeshjes së të enjtes në Varshavë. – Nëse kjo është karta që duan të luajnë lojtarët e mi, mendoj se kur të dalin në fushë, ajo përvojë është brenda tyre. Sidoqoftë, nuk do të mendojnë për ndeshje të tilla të kaluara, do të mendojnë për atë që kemi planifikuar dhe si duam të luajmë kundër Shqipërisë.
Je në ndeshje, analizon çfarë ndodh në fushë. Ke përgjegjësi, stres, lodhje, nuk ke kohë për gjëra të tilla. Nuk mendon për këto”.
Polonia ka epërsi në përballjet direkte me Shqipërinë, me 10 fitore dhe 2 humbje. Megjithatë, ndeshja e fundit në vitin 2023 përfundoi me humbje për Poloninë, ndërsa Shqipëria kryesoi grupin kualifikues të Europianit 2024.
Urban është në krye të Polonisë që nga korriku i kaluar, pas dorëheqjes së Michal Probierz, pas polemikave për heqjen e shiritit të kapitenit Robert Lewandowski. Shqipëria, ndërkohë, drejtohet nga Sylvinho që nga viti 2023, dhe ndeshja e tij e parë ishte humbja 1-0 ndaj Polonisë në Varshavë.
“Në çdo përballje të fundit kundër tyre, na kanë shkaktuar më shumë probleme, – tha Urban për shqiptarët. – Kjo edhe sepse kanë një skuadër shumë të qëndrueshme dhe punojnë me të njëjtin trajner prej tri vitesh.
Pres një ndeshje mjaft të hapur. Edhe pse Shqipëria është ekip me theks mbrojtës, e di që duhet rezultati. Shqiptarët kanë një kombëtare që mund të befasojë, por shpresoj që jo kësaj here”. Fituesi i ndeshjes së të enjtes do të përballet me Ukrainën ose Suedinë në finalen e “play off”-it, të martën.
The post Urban paralajmëron: Tradita jonë pozitive në “play off” nuk do të vlejë kundër Shqipërisë appeared first on Telesport.
