Kryeministri Hristijan Mickoski, sot pasdite, në ora 15:45, do të presë dhe do të jetë nikoqir i vizitës së kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njofton shërbimi për shtyp i Qeverisë.

Në orën 15:50 është paraparë një takim kokë më kokë në ambientet e Qeverisë, pas së cilës, në ora 16:05, do të mbahet një takim dypalësh me përfaqësuesit e delegacioneve. Nuk janë planifikuar deklarata për media pas takimeve.

Kryeministri Mickoski deklaroi dje se nga kjo vizitë pret riafirmim të qëndrimit se synimi strategjik i vendit mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, duke shpresuar gjithashtu në rezultate konkrete nga ana e Unionit.

“Pres që të riafirmojmë qëndrimet se qëllimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi i plotë në BE. Duket se gjatë këtyre 25 viteve kemi filluar të humbasim fytyrën, duke ecur në këtë rrugë – si të ketë mbetur pak nga ai dinjitet dhe ajo fytyrë. Shpresoj që të ketë dorëzim edhe nga ana e BE-së, që të paktën ta ruajmë fytyrën para se të anëtarësohemi, sepse me fytyrë dhe dinjitet të humbur nuk do t’i shërbejmë askujt – as atyre. Kjo Qeveri nuk ka ndërmend të humbasë nga dinjiteti dhe fytyra e saj,” theksoi Mickoski.

Lidhur me njoftimin e Ursula von der Leyen për hapjen e qendrave për inteligjencë artificiale në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, Mickoski sqaroi se bëhet fjalë për një projekt të udhëhequr nga Qeveria, përkatësisht nga Ministria për Transformim Digjital.

“Është një projekt që e ka udhëhequr Qeveria, gjegjësisht Ministria për Transformim Digjital. Është një arritje shumë e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, sepse për herë të parë do të shfrytëzojmë resurset tona vendore. Kjo është bërë në bashkëpunim me fakultetet FETI dhe FSHIIK, dhe është një projekt për të cilin jam vërtet i emocionuar dhe i lumtur,” tha Mickoski, duke shtuar se bëhet fjalë për një bashkëfinancim me vlerë rreth pesë milionë euro.

Ai theksoi gjithashtu se kjo nismë do të mundësojë që ekspertët, studentët dhe profesionistët vendas të kenë qasje dhe të përfitojnë nga resurset që ofron vetë Bashkimi Evropian.

Vizita e kryetares së KE-së në Shkup është pjesë e një turneu treditor në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilin von der Leyen e nisi dy ditë më parë nga Tirana. Gjatë qëndrimit në Shkup, ajo do të takohet me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me kryeministrin Mickoski dhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.