Udhëtimi i amerikanëve vjen pas një takimi me presidentin rus, Vlladimir Putin në Moskë të shtunën, në një kohë kur të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ajrore. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të dielën se qeveria e tij është e gatshme për një diskutim “konstruktiv” me të dërguarit amerikanë. Theksoi se paqja është e nevojshme dhe se nevojiten garanci sigurie, ndërsa bëri të ditur e Kievit janë gati.
Të dërguarit amerikanë kanë mbërritur me tren dhe janë pritur në stacionin e kryeqytetit ukrainas nga zyrtarë të lartë ukrainas, përpara se të takoheshin me Zelenskyn në një ceremoni në sheshin e Shën Sofisë. Përpjekjet e Uashingtonit zyrtar për t’u dhënë fund luftimeve kanë humbur vrullin, ndërsa administrata Trump është përqendruar gjatë gjashtë muajve të fundit te lufta në Iran. Vizita e fundit e tnademit Uitkoff-Kushner, në Moskë ishte në janar, kur ata zhvilluan gjithashtu bisedime me Putinin në Kremlin.
Takimi i së shtunës në Moskë ka zgjatur më shumë se tri orë, me dyer të mbyllura, dhe ka përfunduar pa u bërë i ditur ndonjë zhvillim i madh. Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Juri Ushakov, i ka përshkruar bisedimet si konstruktive, të sinqerta dhe të dobishme, por nuk ka dhënë detaje mbi rezultatet konkrete. Ndërsa Moska zyrtare ka ofruar “një vlerësim gjithëpërfshirës” të situatës në fushëbetejën në Ukrainë, ka thënë Ushakov, bisedimet nuk janë përqendruar vetëm te lufta në Ukrainë.
