Gati 6 vite pas vdekjes së Diego Armando Maradonës, në Argjentinë vazhdon procesi gjyqësor për të zbardhur rrethanat e ndarjes së tij nga jeta. Para gjykatës dëshmoi masazhatori i legjendës argjentinase, Nicolas Taffarel, i cili përshkroi gjendjen e rënduar të Maradonës në javët para 25 nëntorit 2020.

“Nuk ngrihej nga shtrati, nuk donte të hante dhe nuk donte të lahej”, – deklaroi ai, duke shtuar se kishte kërkuar vazhdimisht nga stafi mjekësor ta monitoronte çdo ditë, shqetësim që sipas tij provohet edhe nga një mesazh audio i paraqitur në gjykatë.

Taffarel kujtoi edhe takimin e fundit më 24 nëntor 2020: “I propozova të pinim një mate. Ai më tha: Nuk dua asgjë, Taffita, mjafton kaq. E pyeta çfarë donte të thoshte dhe ai u përgjigj: Asgjë, mjafton kaq”.

Në gjyq po shqyrtohen edhe orët e fundit të jetës së Maradonës. Shtatë profesionistë të ekipit mjekësor akuzohen për neglizhencë dhe për mungesë kujdesi, akuza që ata i mohojnë. Nëse shpallen fajtorë, rrezikojnë deri në 25 vite burg.

The post Vdekja e Maradonës, dëshmia tronditëse e masazhatorit: “Nuk donte të ngrihej nga shtrati, as të hante” appeared first on Telesport.