Dy persona janë vrarë e një është plagosur nga të shtënat me armë në Livoç të Ulët të Gjilanit të premten. I dyshuari është dorëzuar.

Siç ka njoftuar Policia, në vend të ngjarjes brenda veturës është gjetur i vdekur një burrë 30-vjeçar, ndërsa në Spitalin e Gjilanit është dërguar pa shenja jete një grua po ashtu rreth 30-vjeçare. 

Ndërkohë, një tjetër person që është lënduar nga arma e zjarrit, është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë, mes të dyshuarit dhe viktimave ekziston lidhje familjare. E në bazë të informacioneve që KOHA ka marrë nga terreni, V.R. dyshohet se e ka vrarë gruan e tij dhe vëllain e gruas, dhe ka plagosur axhën e gruas.  Sipas banorëve të fshatit, tre personat po qëndronin në veturë kur i dyshuari ka ardhur me veturë tjetër duke shtënë në drejtim të tyre.

Deri tash, nuk dihet motivi që ka çuar në këtë ngjarje.

Policia ka thënë se i dyshuari është dorëzuar, ndërsa është sekuestruar edhe arma që dyshohet se u përdor në rast.

Autoritetet kanë thënë se po kryejnë hetime për të sqaruar plotësisht rastin.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se është tronditur nga lajmi për vrasjen e një gruaje dhe një burri në Livoç të Ulët të Gjilanit, si dhe plagosjen e një personi tjetër. Ajo u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe ka shprehur pritjen që institucionet përgjegjëse të zhvillojnë hetim të plotë, të paanshëm dhe profesional, në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat e këtij krimi dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Haxhiu ka theksuar se në këto momente të rënda, familjeve të prekura duhet t’u ofrohet gjithë mbështetja e nevojshme, duke respektuar privatësinë dhe dinjitetin e tyre.