Gazetare: Melihate Rrustemi
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se, përkundër uljes së lehtë të çmimeve të naftës në bursat botërore, sfidat mbeten të larta dhe po ndiqen në baza ditore. Ai tha se Qeveria po e menaxhon situatën në mënyrë stabile, pavarësisht asaj që ai e quajti kriza me vëllimin më të madh historik. Ai njoftoi se është rritur kërkesa në pikat e karburantit në vend dhe se në disa ditë ajo kalon mbi dy milionë litra.
“Gjatë ditës së djeshme është vërejtur ulje e çmimit të naftës dhe derivateve të saj në bursat botërore për rreth 20 dollarë për fuçi; kjo çmim lëviz edhe sot diku ndërmjet 95 dhe 97 dollarë për fuçi. Kjo është shumë më e lartë se çmimi para krizës, i cili varionte ndërmjet 65 dhe 70 dollarë, në një periudhë ishte edhe 60 dollarë, por nuk është 120 sa ishte, kështu që në baza ditore subvencionojmë përmes uljes së normës së TVSH-së nga 18 në 10 për qind, ndërsa sipas vendimit të fundit të Komisionit Rregullator për Energji kemi ulje të akcizës prej 4 denarë për litër për dizelin dhe 2 denarë për litër për karburantet pa plumb”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski tha se vendi ka rezerva të mjaftueshme të naftës dhe se nuk ka njoftime për ndonjë pengesë në furnizim. Nuk planifikohet kufizim për blerjen e karburanteve për shtetet fqinje.
“Deri tani nuk kemi njoftime për ndonjë pengesë në furnizim dhe nuk planifikojmë të vendosim kufizime. Në këtë mënyrë i ndihmojmë edhe fqinjët tanë, pasi disa aeroporte nga rajoni furnizohen me kerozinë nga ne. Një pjesë e madhe e qytetarëve nga vendet fqinje furnizohen me benzinë dhe dizel në pikat tona të karburantit. Disa pika karburanti kanë rritur konsumin, kështu që për momentin, pavarësisht krizës më të madhe historike, si qeveri po përballemi mjaftueshëm në mënyrë stabile”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski citoi Presidentin e Agjencisë Botërore të Energjisë, duke thënë se kriza aktuale është më e fuqishme se krizat e viteve 1973, 1979 dhe 2022 të marra së bashku. Shkaku kryesor mbetet dëmtimi i kapaciteteve prodhuese në Gjirin Persik që ka krijuar një mungesë ditore prej rreth 12 milionë fuçish./Alsat.mk.
The post Vendi ka rezerva të mjaftueshme të naftës, çmimet ndiqen çdo ditë në bursën botërore appeared first on Alsat.
