Gazetar: Avni Tahiri
Vendkalimi ilegal në Bitpazarë të Shkupit nuk do të mbyllet, por i njëjti do të legalizohet dhe do të vendoset semaforë dhe vizë bardha nëse shumica e qytetarëve e kërkojnë atë.
Paralajmëroi sot kryetari i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski, i cili shtoi se këtë fundjavë pret të realizoje edhe një takim me banorët të cilët dolën në protestë kundër mbylljes së vendkalimit ilegal në BitPazar.
“Planifikoj që këtë fundjave të kem takim me qytetarët. Do të jetë në takim edhe kolegu nga Çairi, z. Izet Mexhiti, pjesë të këshilltarëve por edhe unë do të jem atje. Unë kisha mundësinë që të dëgjoj nga mediat në atë protestë apo mbledhim që të dëgjoj zonja më të moshuara me argumente që për mua ishin argumente të qëndrueshme dhe qytetarët gjithmonë kanë të drejtë. Do të kem një takim dhe nëse shumica e qytetarëve kërkojnë që atje të ketë vendkalim legal atëherë do ta mundësojmë atë por të jetë në mënyrë legale, me semaforë që të dihet kur të kalohet dhe të jetë në kuadër të ligjit mbi të gjitha”, tha Orce Gjorgjievski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Gjorgjievski shtoi se është konsultuar edhe me sektorin e komunikacionit të Qytetit të Shkupit, dhe pas takimit me qytetarët këtë fundjave pritët të merret edhe vendimi.
Tentativa për mbylljen e vendkalimit ilegal në BitPazar dështoi pasi qytetarë, shumica tregtarë dolën në protestë dhe kundërshtuan mbylljen. Grilat që ishin vendosur për mbyllje u hoqën ndërsa qytetarët kërkuan takim me kryetarin e Qytetetit të Shkupit, për të propozuar zgjidhje tjetër. Në vendkalimin ilegal në BitPazar, të Shkupit, deri tani kanë ndodhur dhjetëra aksidente, disa prej të cilave me fatalitet. Rasti i fundit i të lënduarve në këtë vendkalim ishte vetëm para disa ditëve ku një grua dhe një burrë përfunduan në spital me lëndime trupore./Alsat.mk.
The post Vendkalimi në Bit Pazar nuk mbyllet, Gjorgjievski: Do të legalizohet nëse e kërkojnë qytetarët appeared first on Alsat.
