Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ankesë ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Vetëvendosje i ka kërkuar gjithashtu Kushtetueses ta pezullojë përkohësisht dekretin e presidentes deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse është në pritje të vendimit të Kushtetueses. Osmani e ka arsyetuar këtë vendim, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës por që deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se organi ligjvënës nuk mund ta vazhdojë punon derisa Kushtetuesja të nxjerrë një vendim. Ajo edhe një herë përsëriti se dekreti i Osmanit është antikushtetues

 “Nëse ka dekret për shpërndarje të Kuvendit, Kuvendi nuk mund ta vazhdojë punën. Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme, natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë… vendimi i presidentes për të shpërndarë Kuvendin për mua ka qenë befasi, sepse është jokushtetues, është i ngutshëm dhe si i tillë do ta kundërshtoj edhe si kryetare e Kuvendit,” tha Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Partia në pushtet thirret në nene të tjera të Kushtetutës dhe beson që dekreti nuk ka bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe ka afat prej 60 ditësh për ta finalizuar procesin. Osmani, në anën tjetër, ngul këmbë se afati 60-ditor do të duhej të shfrytëzohej para 5 marsit. /alsat.mk

The post Vetëvendosja ankohet në Kushtetuese kundër dekretit të Osmani për shpërndarjen e Kuvendit appeared first on Alsat.