Andi Nuhiu, 16-vjeçari djali i legjendës së futbollit Arben Nuhiu, po ndjek hapat e babait të tij dhe po lë gjurmë në fushë. Për të rinjtë e FC Shkupit, te dielën ai shënoi një supergol në ndeshjen ndaj Bregalnicës, duke ndihmuar ekipin të mbyllte sfidën me fitore të thellë 3:0. Goli erdhi nga një goditje e fortë jashtë zonës, duke shkundur rrjetën e kundërshtarit.
Por kontribuimi i tij nuk u ndal tek goli i shënuar – Andi ishte pjesë e aksioneve që çuan në dy golat e tjerë.
I formuar që nga fëmijëria në akademinë e FC Shkupit, Andi Nuhiu duket i gatshëm të shpërthejë në skenën e futbollit profesionist. Ai vjen nga një familje futbollistësh – jo vetëm babai i tij Arbeni, por edhe xhaxhai Ardiani kanë shkruar emrin e tyre në histori të futbollit profesionist.
