Vijojnë luftimet mes Pakistanit dhe talebanëve në Afganistan, duke e kthyer kufirin mes dy vendeve në një zonë të nxehtë konflikti. Pas bombardimeve që kanë vijuar gjithë mbrëmjen e kaluar, të dyja palët raportojnë humbje të rënda, ndërsa ministri pakistanez i mbrojtjes e ka cilësuar situatën si “luftë e hapur”.
Pakistani bombardoi objektiva të qeverisë talebane në qytetet kryesore të Afganistanit gjatë natës. Reuters shkruan se burime të sigurisë në Pakistan thanë se sulmet përfshinin goditje ajrore dhe tokësore kundër postave, selive dhe depove të municioneve të talebanëve në disa sektorë përgjatë kufirit.
Të dyja palët raportuan humbje të rënda.
“Kupa është mbushur. Tani është luftë e hapur mes nesh dhe jush (Afganistanit),” tha ministri pakistanez i mbrojtjes Khawaja Muhammad Asif të premten, citon Reuters.
Sulmet rrezikojnë një konflikt të zgjatur përgjatë kufirit 2 mijë e 600 km pas një mosmarrëveshjeje të gjatë mbi akuzat e Islamabadit se Kabuli strehon militantë që kryejnë sulme brenda Pakistanit. Talebanët e kanë mohuar akuzën dhe kanë thënë se siguria e Pakistanit është problem i brendshëm.
Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, tha se forcat pakistaneze kryen sulme ajrore në pjesë të Kabulit, Kandaharit dhe Paktias.
Video të shpërndara nga zyrtarë të sigurisë pakistaneze tregonin shkëlqime dritash gjatë natës nga të shtënat përgjatë kufirit dhe tingujt e artilerisë së rëndë. Një video e sulmeve në Kabul tregonte re të dendura tymi të zi që ngriheshin nga dy vende dhe një zjarr masiv në një pjesë të kryeqytetit.
Një tjetër video tregonte një ndërtesë në flakë, që zyrtarët e përshkruan si seli talebane në provincën Paktia.
“Sulmet kundër objektivave në Afganistan vazhdojnë,” tha zëdhënësi i qeverisë pakistaneze, Mosharraf Zaidi, në një postim në X, duke e përshkruar veprimin si përgjigje ndaj “sulmeve të paprovokuara afgane.”
Zaidi tha se 133 luftëtarë talebanë afganë u vranë dhe mbi 200 u plagosën, me 27 posta të shkatërruara dhe 9 të kapura.
Mujahid, zëdhënësi i talebanëve, tha se 55 ushtarë pakistanezë u vranë dhe 19 posta u morën, ndërsa 8 luftëtarë talebanë u vranë, 11 u plagosën dhe 13 civilë u lënduan në provincën Nangarhar.
Pakistani ka qenë në gjendje alarmi të lartë që kur nisi sulme ajrore më herët këtë javë, të cilat Islamabad tha se kishin në shënjestër kampet e Tehreek-e-Taliban (TTP), ose talebanët pakistanezë, dhe militantët e Shtetit Islamik në Afganistanin lindor.
Kabuli tha se sulmet vranë 13 civilë dhe përsëriti se nuk lejon militantë të veprojnë nga territori i tij. Talebanët paralajmëruan gjithashtu se do të kishte një përgjigje të fortë.
Një media shtetërore nga Nangarhari i Afganistanit, Agjencia e Lajmeve Bakhtar, shpërndau një imazh të asaj që e quajti një batalion sulmuesish vetëvrasës, dhe citoi një burim sigurie afgan duke thënë se bombarduesit ishin pajisur me jelekë eksplozivë dhe makina-bomba dhe ishin të përgatitur të godisnin objektiva kryesore.
Zyrtarët pakistanezë kanë thënë ditët e fundit se kishin frikë nga një përshkallëzim i sulmeve militante në qendrat urbane.
Përleshjet shpërthyen përgjatë kufirit të enjten në mbrëmje pasi talebanët nisën atë që e përshkruan si sulme hakmarrëse ndaj instalimeve ushtarake pakistaneze. Të dyja palët pretenduan se kishin shkatërruar posta kufitare gjatë atyre luftimeve.
