Gazetare: Melihate Rustemi
Debatet rreth Propozim ligjit për Arsimin e Lartë duket se po ashpërsohen çdo ditë e më shumë. Partitë politike dhe institucionet kanë qëndrime të kundërta lidhur me ndikimin e tij në autonominë universitare dhe cilësinë e arsimit.
Koalicioni VLEN shprehet se është pjesë aktive e reformave në arsimin e lartë dhe mbështet debatet publike me përfshirjen e komunitetit akademik, duke theksuar se çdo reformë duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe në interes të studentëve.
Në anën tjetër, BDI e cilëson Propozim ligjin si të njëanshëm dhe diskriminues. Sipas tyre ligji favorizon një elitë të caktuar akademike, cenon autonominë universitare dhe ngarkon padrejtësisht asistentët dhe kuadrin e ri, duke krijuar pabarazi të theksuara, veçanërisht për universitetet në gjuhën shqipe.
Nga ASH e Taravarit thonë se ndryshimet ligjore prodhojnë diskriminim institucional dhe e zhvendosin vendimmarrjen nga komuniteti akademik drejt pushtetit ekzekutiv. Sipas ASH-së, financimi dhe avancimi akademik, në këtë formë, rrezikojnë të përdoren si mekanizma presioni politik ndaj universiteteve publike shqiptare.
Por ministrja e Arsimit Vesna Janevska, hedh poshtë këto akuza dhe thekson se ligji nuk është diskriminues dhe nuk ndërhyn në autonominë universitare. Ajo shton se universitetet kanë vetëm detyrim për llogaridhënie për mjetet financiare që marrin nga shteti dhe se është e hapur për debat, nëse kundërshtimet adresohen me argumente konkrete.
“Nuk kemi parë elemente diskriminuese, përndryshe nuk do t’i kishim lejuar. Për momentin nuk ka arritur ndonjë koment i tillë që ndonjë nga universitetet të ketë vërejtur diçka të tillë. Nëse vjen (ndonjë ankesë), sigurisht që me respektin e duhur do ta shqyrtojmë. Përveç kësaj, në lidhje me komentet e tjera, ato janë vërejtje relativisht minore. Pa marrë parasysh nëse universitetet janë të reja apo të vjetra, ne duhet të ngrisim cilësinë e arsimit të lartë dhe nuk mund të ekzistojë përsëri diskriminim në lidhje me vitet e ekzistencës së universitetit. Të gjithë mësimdhënësit dhe të gjithë studentët duhet të jenë të barabartë dhe t’i plotësojnë dispozitat dhe kushtet e parashikuara për të gjithë”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit. /Alsat.mk
The post Vijojnë reagimet politike për propozim ligjin për arsimin e lartë appeared first on Alsat.
