Viti 2025 dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni: Gjuha shqipe dhe përfaqësimi institucional në fokus

Gjuha shqipe dhe përfaqësimi nëpër institucionet shtetërore ishin temat që zunë hapësirën më të madhe të debatit gjatë vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut, sa i përket realizimit të të drejtave të shqiptarëve. Përdorimi i shqipes nëpër institucione edhe këtë vit vazhdoi të jetë e drejtë e diskutueshme, përveç institucioneve ku timonin e kanë kuadrot shqiptarë.

Opinioni me interes të veçantë ndoqi veprimin e Gjykatës Kushtetuese, ku prej 6 vitesh, që nga koha e BDI-së në pushtet kishte ngecur pa vendim lënda për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Gjatë vitit 2025, Gjykata pati aktivitete të shtuara për ta zgjidhur çështjen, megjithatë dështoi. Kjo u lexua në opinion si ndërhyrje politike, sidomos pasi gjykatësja raportuese e lëndës, Elizabeta Dukovska u largua nga pozita pas një vendimi të precedentë të Gjykatës Administrative, e cila kontestoi procedurën e zgjedhjes së saj në Kuvend.

Megjithatë lënda vazhdon të jetë në tavolinën e operacionit edhe tani kur në pushtet është VLEN. Ndërkohë, pasigurinë me fatin e ligjit e kanë shfrytëzuar institucionet për të manovruar, sidomos në rrethanat kur Inspektorati që kontrollon zbatimin e shqipes nëpër institucione është i paralizuar. Vitin e kaluar, për shkak të ndryshimeve ligjore, Inspektorati u zhvesh nga kompetencat edhe ashtu të cunguara. Të punësuarit u detyruan që të protestonin për pagat e prapambetura prej 6 muajsh. Pavarësisht premtimeve, ende nuk ka ndonjë veprim konkret për ta tejkaluar bllokadën.

Ndërkohë tema e përfaqësimit të shqiptarëve nëpër institucione gjithashtu ishte mjaft e nxehtë, sidomos pas shfuqizimit të Balancuesit. Në vitin 2025, duhej të miratohej Ligji për Përfaqësim të Drejtë, si mekanizëm që do të garantonte barazi gjatë punësimeve. Megjithatë, përgatitja dhe finalizimi i saj, por më pas edhe pritja e mendimit nga Komisioni i Venecias zgjatën plot një vit.

Në mendimin e tij, Komisioni e përshëndet qasjen e ligjit që për dallim nga Balancuesi nuk bazohet në barazi matematikore, por në pasqyrim të përafërt të përfaqësimit të komuniteteve. Rekomandimi është që meritokracia të jetë kriteri parësor për punësim në organet publike, ndërsa ai etnik të jetë dytësor. Deri në miratimin e ligjit, në vend nuk ka një instrument që t’i detyrojë institucionet të respektojnë përfaqësimin e komuniteteve, ndërsa konkurset për punësime vazhdojnë të realizohen pa grafën etnike. Për të dyja këto çështje, si BDI-ja që udhëhoqi shqiptarët mbi dy dekada por edhe VLEN në më shumë se një vit, nuk mund t’i dalin ende zot çështjeve shqiptare dhe t’i betonizojnë ato me një zgjidhje konkrete. BDI-ja që kërkon Badenterin në Kushtetuese, nuk e bëri këtë sa ishte në pushtet ndërsa për Balancuesin kishte dhënë aminin se ai keqpërdorej. Nga ana tjetër, VLEN shkon si pata në mjegull, duke shpresuar se kushtetuesja nuk do të arrijë të ketë përbërjen e plotë për të marrë vendimin për ligjin e gjuhëve. Ndërsa për ligjin për përfaqësim të drejtë, sërish i ka hyrë detit në këmbë pagarantuar badenterin.