Viti i Ri në Shkup u festua pa fishekzjarrë dhe pa këngë shqipe

Qyteti i Shkupit priti Vitin e Ri në atmosferë festive. Qytetarë të shumtë në temperatura të ulëta u mblodhën në sheshin e kryeqytetit për të shënuar ndërrimin e viteve.

Festimet u shoqëruan me aktivitete muzikore dhe argëtim në ambient të hapur dhe pa fishekzjarrë në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili bëri thirrje për bashkim si popull, megjithatë në skenë nuk kishte asnjë këngëtar shqiptar që të këndonte në gjuhën shqipe.

“Shpresoj që ky vit dhe kjo festë do të jetë vetëm fillim i të gjitha punëve të mira që do të jenë në të ardhmen për qytetin tonë të bukur. Dua që të ju uroj të gjithëve shumë shëndet, fat, paqe, dashuri në familjet tuaja dhe të bashkohemi më në fund si popull ashtu siç na ka hije, qofshi shendosh e mirë të gjithë”, tha Orce Gjorgjievski – Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Festa në kryeqytet vazhdon edhe sot. Më shumë turistë të huaj se qytetarë të vendit shijonin motin me diell në ditën e parë të 2026 në qendër të Shkupit.

“Është Vit i Ri dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu në Shkup për pushime, erdhëm nga Bari dhe jemi të lumtur që qëndruam këtu. – Si e thua në Italisht Urime Vitin e Ri? – Buon Anno a tutti vi vogliamo bene”, u shpreh një vizitor.

”Çfarë prisni nga 2026? – Presim shumë shëndet, paqe, shëtitje në Dubai. – A ishit mbrëmë këtu? – Po, ishim. – Si kaluat? – Shumë mirë, erdhëm nga Bulgaria. Urime festat dhe qofshim shendosh e mirë”, tha një tjetër vizitor.

”Le të jetë një vit i mbarë dhe më i begatë, më i suksesshëm, të ketë shëndet dhe dashuri për të gjithë”, deklaroi Orce Gjorgjievski – Kryetar i Qytetit të Shkupit.

“Nga viti 2026, presim që të ketë shëndet për të gjithë, të kemi fat të gjithë dhe të jemi shendosh e mirë. Le të jetë më i suksesshëm se viti 2025”, tha një qytetar.

Për të pranishmit në qendër të kryeqytetit, shoqatat e motoristëve të vendin ofronin edhe spektakël. /Alsat.mk