Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar këtë të premte me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
E para e Kosovës tha se Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal
“Ai është një zë i fuqishëm i miqësisë dhe vizionit të përbashkët. Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë. Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal. Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi, janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në “Facebook”.
Osmani po qëndron në Turqi ku mori pjesë edhe në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.
Forumi po mbahet më 11-13 prill 2025 nën kujdesin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe nën mikpritjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë. Në këtë ngjarje marrin pjesë më shumë se 20 krerë shtetesh dhe qeverish, mbi 50 ministra të punëve të jashtme, gjithsej mbi 70 ministra dhe rreth 60 përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare./21Media
