Goli vendimtar kundër Cagliarit ka rritur ambiciet e Dusan Vlahovic për një fund sezoni në nivelin më të lartë, që duket gjithashtu si mënyra më e mirë për ta mbyllur aventurën me Juventusin, duke qenë se e ardhmja e tij tashmë duket e vendosur.
Bisedimet për rinovimin e kontratës, e cila skadon më 30 qershor 2026, jo vetëm që nuk kanë sjellë rezultat, por janë edhe të ngrira. Oferta e shtatorit të kaluar, e firmosur nga Giuntoli, parashikonte uljen e pagës nga 12 milionë euro, sa merr aktualisht, në 8-9 milionë euro në sezon, me zgjatjen e kontratës deri më 2030. Një propozim që nuk e ka bindur aspak agjentin e tij, Ristic, sipas “Tuttosport”.
Vlahovic, pra, pritet të largohet në fund të sezonit. Po ku do të shkojë? Jo në Arabinë Saudite, që në janar i kishte ofruar një kontratë 3-vjeçare me 20 milionë euro në sezon. Dusan dëshiron të vazhdojë të luajë në futbollin elitar, i njëjti motiv që e shtyu të refuzonte ofertën e Fenerbahçes së Mourinhos, i cili e dëshiron për sezonin e ardhshëm si pasuesin e Edin Dzekos, që mbush 39 vjeç në mars dhe është në skadencë kontrate.
Ëndrra e tij mbetet Premier League, ku mund të vazhdojë të marrë pagën aktuale dhe të konkurrojë në nivelin më të lartë. Sidoqoftë, përpara se të largohet, synon ta mbyllë sezonin në mënyrën më të mirë, duke ndihmuar Juven të sigurojë një vend në Champions dhe, ndoshta, të ngrejë sërish Kupën e Italisë.
The post Vlahovic i thotë “jo” Mourinhos dhe rinovimit me Juventusin. Serbi ëndërron Premier League appeared first on Telesport.
