TV21 e ka parë draft-planin se si parashihet që Koalicioni VLEN të shndërrohet në një parti të vetme politike me emrin Unioni Demokratik Shqiptar VLEN, e cila do të regjistrohet si organizatë politike në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas dokumentit, ky emër tashmë ekziston si opsion juridik dhe parashihet ose themelimi i një partie të re me këtë emër, ose ndryshimi i emrit të njërës prej partive ekzistuese në VLEN.

Sipas orientimit politik, VLEN do të pozicionohet në qendrën e djathtë, ndërsa ideologjikisht do të bazohet në parimet konservatore, me theks në kombin, familjen tradicionale dhe trashëgiminë kulturore. Në aspektin strategjik, partia përcakton qartë orientimin e saj pro-perëndimor, duke theksuar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen e boshtit strategjik Ankara–Sofje–Shkup–Tiranë.

Dokumenti të cilin e pa TV21 parashikon një strukturë të detajuar organizative. Organi më i lartë do të jetë Kongresi, i përbërë nga 500 anëtarë, ku katër partitë themeluese do të kenë nga 150 delegatë secila, ndërsa VV dhe Arbëria nga 50 delegatë. Kongresi do të ketë kompetencë për zgjedhjen e Presidencës dhe të Këshillit të Përgjithshëm.

Këshilli i Përgjithshëm do të përbëhet nga 130 anëtarë, me përfaqësim proporcional të subjekteve përbërëse, dhe do të ketë kompetencë për zgjedhjen e Kryesisë Qendrore, miratimin e listave për deputetë dhe vendime të tjera strategjike. Kryesia Qendrore do të ketë 33 anëtarë, ndërsa deputetët, ministrat, zëvendësministrat dhe kryetarët e komunave do të jenë pjesë e saj automatikisht, por pa të drejtë vote.

Një risi e veçantë në këtë model është Presidenca, e përbërë nga katër anëtarë me mandat katërvjeçar: kryetari, sekretari i përgjithshëm, zëvendëskryetari dhe kryetari i Këshillit të Përgjithshëm. Vendimet në Presidencë do të merren me konsensus, ndërsa kryetari i VLEN-it do të zgjidhet me rotacion çdo vit. Rotacioni i kryetarit do të përcaktohet me short, ndërsa pozitat e tjera do të dakordohen paraprakisht, duke siguruar barazi mes subjekteve përbërëse.

Kryetari i VLEN-it do të ketë mandat njëvjeçar dhe do ta përfaqësojë organizatën para palëve të treta, si dhe do të organizojë mbledhjet e Presidencës dhe Kryesisë Qendrore. Sekretari i Përgjithshëm do të jetë drejtori administrativ i partisë dhe përgjegjës për funksionimin e sekretariateve, ndërsa zëvendëskryetari do ta zëvendësojë kryetarin në të gjitha detyrat e përcaktuara. Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm do të drejtojë punën e këtij organi në përputhje me statutin.

VLEN parashikon themelimin e një numri sekretariatesh funksionale, përfshirë Sekretariatin Organizativ, Sekretariatin e Politikave Strategjike dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Sekretariatin e Komunikimit me Opinionin, Sekretariatin e Departamenteve si “ministri në hije”, Sekretariatin e Bartësve të Funksioneve Publike, Sekretariatin e Çështjeve Kadrovike dhe Sekretariatin e Buxhetit dhe Financave. Të gjitha sekretariatet do të funksionojnë mbi parimin e komisioneve katër-anëtarëshe dhe vendimmarrjes me konsensus.

Në kuadër të strukturës së partisë parashihet edhe themelimi i Akademisë Politike të VLEN-it, si shkollë politike për trajnime, seminare dhe konferenca, si dhe Forumi i Gruas dhe Forumi i Rinisë, të organizuara sipas parimit të Kuvendit të Përgjithshëm. Po ashtu, do të krijohen degë dhe nëndegë lokale, të ndërtuara sipas modelit të organeve qendrore.

Mandati i këtij modeli organizativ do të zgjasë katër vjet, ndërsa në fund të mandatit Kryesia Qendrore dhe Këshilli i Përgjithshëm do të vendosin për të ardhmen e partisë. Buxheti fillestar i parashikuar është 100 mijë euro, të siguruara nga katër partitë përbërëse me nga 25 mijë euro secila. Selia qendrore e partisë do të jetë në Shkup dhe të gjitha zyrat ekzistuese do të ri-brendohen me emrin VLEN.

Sipas planit, partitë aktuale mund të mbeten subjekte juridike vetëm për arsye të financimit shtetëror, por pas kongresit të VLEN-it askush nuk do të veprojë apo përfaqësohet në emër të ndonjë partie tjetër. Në kuptimin politik dhe përfaqësues, ato do të shuhen, ndërsa nëse ekzistojnë zgjidhje juridike, parashihet edhe shuarja e tyre formale.