VLEN mban nesër Konventën Promovuese në Shkup

Nesër, më 30 shtator, me fillim nga ora 19:00 në sallën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup, do të mbahet Konventa Promovuese e koalicionit VLEN, raporton FaktiDitor.info.

Ky organizim pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme politike të këtij viti, ku koalicioni VLEN do të prezantojë vizionin, programin dhe prioritetet e tij për të ardhmen e komunave në vend.

Në konventë pritet të marrin pjesë liderët e koalicionit, kandidatët për kryetarë komunash, përfaqësues të strukturave partiake, simpatizantë dhe qytetarë nga e gjithë Maqedonia e Veriut.

Përfaqësuesit e VLEN-it kanë bërë të ditur se kjo konventë shënon nisjen e një etape të re politike, me synimin për të sjellë ndryshim dhe për të ofruar një alternativë të vërtetë për shqiptarët dhe të gjithë qytetarët, në çdo komunë të vendit.