Pas homazheve në Prekaz dhe në Kullën e Bacit Rifat Jashari, liderët e VLEN-it pasditën e së shtunës janë takuar edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, transmeton TV21. Këtë e kanë bërë të ditur liderët e VLEN-it në rrjetet sociale. Ashtu siç është paralajmëruar, të gjithë liderët e koalicionit po punojnë për finalizimin e VLEN-it në një parti. Siç shihet në fotografinë e publikuar në takim te Kurti janë Mexhiti, Kasami, Sali, Qoku dhe deputetët Mimoza Musa dhe Ilir Demiri.
Ndërkaq, vlen të theksohet se Arben Fetai kryetar i ASH-së, njëherit edhe zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë, tashmë është jashtë loje, pasi që ditëve të fundit nuk është pjesëmarrës në takimet e liderëve të VLEN-it.
Kujtojmë se për finalizimin e VLEN-it në një parti, Lëvizja Besa në krye me Bilall Kasamin shkarkoi të gjithë kryesinë e partisë dhe Kasami u autorizua për të vazhduar negociatat për formimin e VLEN-it. Një hapë të tillë ndërmori edhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhiti, ku po ashtu Mexhiti u autorizua për të vazhduar negociatat për formimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm.
