
E para e punës është se ne votat nuk i kemi në xhep që t’i nxjerrim. Bëhet fjalë për besim dhe vullnet të qytetarëve që të dalin dhe ta japin votën për një kandidat në të cilin besojnë se do t’ua përmirësojë jetën në nivel lokal. Për fat të keq, kërçovarët bënë zgjedhjen e tyre për të vazhduar keqqeverisjen me Fatmir Deharin. Kjo është e para. E dyta qëndrimi publik i kandidatit tonë për komunën e Kërçovës, Fatmir Limani, ka qenë i qartë që në fillim të garës: kushdo që do të shkonte në rrethin e dytë, do të mbështetej.
Mirëpo, kemi një situatë të re janë publikuar materiale komprometuese që e zhveshin kandidatin e AKI-së nga çdo e drejtë për të mbajtur pozitë publike. Për këtë arsye, ne si koalicion kërkuam që ai të tërhiqet, ai nuk u tërhoq dhe tani kjo e bën të vështirë çdo thirrje publike. Kërçovarët duhet ta marrin këtë vendim të vështirë. Prandaj, si koalicion, nuk mund të na faturohet asgjë. Kjo bie pikërisht mbi kokën e Ali Ahmetit, i cili nuk pati guximin ta tërheqë kandidatin e vet. VLEN mbetet e palëkundur në parime dhe e qartë në qëndrime: morali publik nuk negociohet.