Koalicioni VLEN konsideron se regjistrimi i popullsisë i vitit 2021 ishte tradhti dhe një nga padrejtësitë më të mëdha institucionale që i është bërë ndonjëherë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. -Ky nuk ishte një proces statistikor, por projekt politik, i ideuar për t’i fshirë shqiptarët nga statistikat dhe për t’i nxjerrë jashtë vendimmarrjes, u shpreh Blerim Sejdiu. Sipas tij, me nënshkrimin e BDI-së dhe me zbatimin teknik të LSDM-së, shqiptarët u ndanë në “rezidentë” dhe “jorezidentë”, me qëllim që të përjashtojë nga llogaritja mijëra shqiptarë të diasporës. Shfuqizimin e kësaj nga ana e Gjykatës Kushtetuese, Sejdiu e quajti fitore e së vërtetës.

“Ne në VLEN nuk bëjmë kalkulime me popullin tonë. Ne nuk frikësohemi nga mërgata, përkundrazi, jemi zëri i saj. Ne nuk njohim shqiptarë “të mirë” e “të padëshiruar” sipas interesit të pushtetit. Çdo shqiptar ka vend në vendimmarrje. Ne nuk do ndalemi, derisa kjo padrejtësi të korrigjohet, me riregjistrim të diasporës, me përfshirje të saj në çdo mekanizëm përfaqësimi”, deklaroi Blerim Sejdiu nga VLEN.

Nga BDI thonë se me shqetësim të thellë po e ndjekin fushatën e koordinuar për diskreditimin e procesit të fundit të regjistrimit të popullsisë, një proces, sipas integristëve, ligjor, transparent dhe tërësisht i monitoruar nga faktori vendor dhe ndërkombëtar.

“Kjo fushatë nuk është e rastësishme. Ajo është pjesë e një skenari më të gjerë për të rishkruar të gjitha arritjet e dekadës së fundit, për të bërë një regjistrim të ri sipas agjendave të reja politike, dhe për të rikthyer pabarazinë sistematike. E gjithë kjo është përpjekje e rrezikshme për të minuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit, për të kontestuar barazinë e fituar me shumë mund dhe për të prishur marrëdhëniet ndëretnike në vend”, thonë nga BDI.

Integristët paralajmërojnë se çdo aktor politik, institucional apo propagandistik që synon të minojë rendin kushtetues, Marrëveshjen e Paqes, barazinë etnike dhe bashkëjetesën, do të mbajë përgjegjësi politike, ligjore dhe morale.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët, duke bërë thirrje për maturi dhe përgjegjësi politike, pasi siç thonë, regjistrimi nuk është një çështje e së kaluarës, por themeli mbi të cilin ndërtohet përfaqësimi i shqiptarëve për dekadat e ardhshme. Çdo përpjekje për ta zhbërë këtë të vërtetë, sipas ASH-së, do të ketë përballë forcat e vërteta politike shqiptare.