Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, njoftoi sot se pagat e funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar do të ulen për 10 deri në 13 mijë denarë, ndërsa disa pozicione mund të shohin ulje edhe më të mëdha, me qëllim të një shpërndarjeje më të drejtë të mjeteve buxhetore në vend, përcjell TV21. Ai informoi se grupi i tyre parlamentar ka dorëzuar një paketë propozimesh për ndryshime në gjashtë ligje për ta arritur këtë.

“Si grup deputetësh në Kuvend, kemi dorëzuar zyrtarisht një paketë propozimesh për ndryshime në gjashtë ligje, me të cilat rregullojmë çështjen e pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar në shtet. Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është të vendoset një shpërndarje më e drejtë e mjeteve buxhetore, ku pagat e funksionarëve përshtaten me kushtet reale ekonomike në vend”, theksoi Stojanoski.

Ai sqaroi se paketë e dorëzuar nga grupi i deputetëve përfshin gjashtë ligje që lidhen me pagat e deputetëve, ministrave, gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, si dhe kryetarëve të komunave.

“Me zgjidhjet e propozuara bëhet ndërhyrje në lartësinë e koeficientëve, duke siguruar përdorim racional të mjeteve buxhetore”, tha ai, duke theksuar se ndryshimet janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën.

Sipas ndryshimeve të propozuara, pagat e deputetëve dhe funksionarëve të ekzekutivit do të ulen përmes koeficientëve më të ulët. Tek gjyqtarët dhe prokurorët bëhet përshtatja me mundësitë ekonomike, ndërsa për kryetarët e komunave futet një shkallë e re bazuar në numrin e banorëve.

Stojanoski tha se mjetet e kursyera do të ridrejtohen për shëndetësi, arsim dhe sektorin social, dhe ulja do të zbatohet menjëherë me pagën e shkurtit.

Deputeti njoftoi se nesër do të thirret seancë plenare për të votuar nevojën për miratimin e ligjeve. Ai sqaroi se sipas afatit prej gjashtë orësh nga Rregullorja, ligjet do të thirren menjëherë, pastaj do të kthehen në seancën plenare dhe do të miratohen që të njëjtën ditë.