VMRO-DPMNE akuzon ish-ministrin e Shëndetësisë Venko Filipce se ka tentuar t’i marrë klinikën “Zhan Mitrev” pronarit të saj, me ndihmën e ish-kryeministrit Zoran Zaev. Deputeti Bojan Stojanoski deklaroi se, FIlipçe dhe Zaev, gjatë kohës kur ishin në pushtet, kanë përdorur institucione shtetërore për të bllokuar llogaritë e klinikës dhe të pronarit. VMRO-DPMNE kërkon nga Prokuroria të nisë menjëherë hetim dhe të veprojë në mënyrë të paanshme.
“Doktori dhe pronari i klinikës, Zhan Mitrev, në një intervistë në televizionin kombëtar, tha se Venko Filipçe dhe Zoran Zaev i kanë kërcënuar me qëllim që t’i marrin spitalin. Gjatë kohës së procesit gjyqësor që po zhvillohej kundër Mitrev, kur ata ishin në pushtet dhe nga pozita e tyre e fuqisë, figurat e njohura Filipçe dhe Zaev, njëri si kryeministër dhe tjetri si ministër i Shëndetësisë, kanë shfrytëzuar momentin dhe me metoda dhe praktika të njohura prej kohësh, kanë tentuar t’i marrin pronësinë mbi klinikën “Zhan Mitrev””, tha Bojan Stojanoski, VMRO-DPMNE.
Nga ana tjetër, Filipce i ktheu akuzat si një fushatë të orkestruar të “linçimit publik” dhe “gënjeshtrash” nga pushteti. Ai tha se VMRO-DPMNE ka kaluar çdo kufi dhe se akuzat ndaj tij janë të pabaza dhe shpifëse. Filipçe paralajmëroi se do të ngrejë padi për shpifje dhe se do të ndjekë penalisht “të gjithë të përfshirët”.
“Dje shkuan edhe më tej, përmes Zhan Mitrev, duke më akuzuar për shantazh. E kanë tepruar. . Kjo tashmë e kalon çdo kufi të mundshëm. Çfarë do të shpikin më pas? Se jam përdhunues apo vrasës? Mjaft më. Tani do t’i padis. Përgjigjen time do ta marrin përmes gjykatës, si urdhëruesit ashtu edhe ekzekutorët”, deklaroi Venko Filipçe, LSDM.
Kjo është përplasja e re politike, ku VMRO-DPMNE kërkon hetim të menjëhershëm, ndërsa Filipçe i përgjigjet me kërcënim për padi dhe akuzë për fushatë të ndërtuar.
