Policia në Kilkis arrestoi një person i cili u kap duke drejtuar një motoçikletë me 223 kilometra në orë, në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 110 kilometra në orë, njoftoi Drejtoria Rajonale e Policisë së Greqisë Veriore, përcjell TV21. Sipas mediave greke, bëhet fjalë për një shtetas të Maqedonisë.
Sipas të njëjtave informacione, shtetasi i maqedonisë, 49-vjeçar u ndalua në autostradën Selanik-Evzoni, rruga që çon drejt pikës kufitare me vendin tonë për daljen nga Greqia, ku drejtonte me dyfishin e shpejtësisë së lejuar.
Televizion shtetëror ERT njoftoi se të ndaluarit i është sekuestruar leja e drejtimit dhe targat e motoçikletës, i është shqiptuar një gjobë prej 700 eurosh, dhe sot do të paraqitet para prokurorit.
Nga Drejtoria e Përgjithshme Rajonale e Policisë së Maqedonisë Qendrore në Greqi u publikuan në rrjetet sociale fotografi të radarit që regjistroi shpejtësinë, si dhe të motoçikletës së të ndaluarit.
