Dy shoferë janë ndaluar nga policia për drejtim të automjeteve në drejtim të kundërt në autostradën Gostivar-Tetovë, njoftoi SPB Tetovë. Rasti i parë u regjistrua dje rreth orës 11:30 të mëngjesit.
“Nëpunës policorë të Stacionit Policor për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor në Tetovë e privuan nga liria V.M. (30) nga fsh. Bogovinë, për shkak se me automjetin transportues ‘Mercedes” me targa të Tetovës, ka lëvizur në drejtim të kundërt nga drejtimi i lejuar i lëvizjes”, njoftuan nga SPB Tetovë.
Një orë më vonë, në orën 12:30, në rrugën Gostivar–Tetovë, te pikëpagesa rrugore e Tetovës, nëpunës policorë e privuan nga liria edhe M.D. (55) nga fsh. Falish, për shkak se me automjetin transportues ,,Folksvagen” me targa të Tetovës, ka lëvizur në drejtim të kundërt nga drejtimi i lejuar i lëvizjes.
Të dy janë shoqëruar në stacion policor dhe, pas dokumentimit të rasteve, ndaj tyre do të parashtrohen kallëzime.
