Ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska deklaroi se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg po hap çështje serioze lidhur me gjykimin në rastin e saj, për blerjen e Mercedesit të blinduar, përcjell TV21. Ajo tha se ky është një konfirmim i, siç e përshkroi ajo, “gjithë paligjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë së instalimeve të pushtetit të mëparshëm në drejtësi”.

“Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut sot njoftoi se hap çështje serioze lidhur me shkeljet e dokumentuara të të drejtës për një gjykim të drejtë në rastin kundër meje, për blerjen e një automjeti të blinduar për nevojat e shtetit. Këto çështje nuk janë vetëm një konfirmim i gjithë paligjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë së instalimeve të pushtetit të mëparshëm në drejtësi ndaj meje personalisht, por edhe një dëshmi se këto instalime ishin mjeti më i fuqishëm për realizimin e qëllimeve të asaj qeverie. Edhe pse kanë kaluar pothuajse 5 vjet që nga dorëzimi i aplikimit në Gjykatën Evropiane, dhe unë kam vuajtur një dënim të padrejtë dhe drastik, dëmi i shkaktuar në plan personal dhe profesional nuk mund të kompensohet, megjithatë fakti që këto shkelje janë njohur nga Gjykata për mua është një kënaqësi e vogël personale. Ndoshta tani ata me 2% besim do të marrin mesazhin se nuk duhet të shërbejnë interesave dhe agjendave të askujt, sepse qytetarët i paguajnë për t’i mbrojtur, jo për t’u shkelur të drejtat. Zonja që sot është në stol të turpit, dhe e cila për veprat e saj u shpërblye nga pushteti i mëparshëm me një funksion të lartë, është shembull se toga gjyqësore nuk është një mburojë që mbron nga përbuzja shoqërore. Shpresoj se më në fund do të ketë përgjegjësi për të gjitha të këqijat e bëra, por edhe nëse kjo nuk ndodh, nuk kam asnjë dilemë se askush nuk mund t’i shpëtojë gjykimit të historisë”, shkroi Jankulloska në Facebook.

Ndryshe, ish-ministrja Jankulloska vuajti dënim me burg për rastin “Tanku”, për furnizimin e paligjshëm të Mercedesit të famshëm. Ajo në vitin 2018 dënua me gjithsej 6 vjet burg, ndërsa Gjykata e Apelit paraprakisht ia uli dënimin në 4 vjet.