Wayne Rooney ka rrëfyer periudhën më të errët të jetës së tij, duke zbuluar problemet e shëndetit mendor, presionin mediatik dhe varësinë nga alkooli. Në podcastin “Life at the Midpoint”, ish-sulmuesi i Manchester Unitedit tregoi vështirësitë që nisi të përjetonte që në adoleshencë, pas famës së fituar me Evertonin në moshën 16-vjeçare:

“Nuk mund ta përballoja gjithë atë presion. Kur isha më i ri, mora vendime të pamenduara jashtë fushës dhe e pata jashtëzakonisht të vështirë ta përballoja gjithçka. Arrita deri në pikën që mendova të vetëvritesha. Nuk doja të qëndroja pranë askujt, nuk dëshiroja të takoja njerëz në rrugë apo në dyqane. Në fushën e futbollit ndihesha gjithmonë mirë, por për gjithçka tjetër kisha vështirësi të mëdha”.

Rooney tregoi edhe për periudhën kur alkooli ishte bërë pjesë e përditshmërisë së tij, pikërisht në kulmin e karrierës: “Shkoja në shtëpi, ulesha në dhomën e lojërave dhe kaloja dy ditë duke pirë. Pastaj zgjohesha për stërvitje, hidhja disa pika në sy, përtypja çamçakëz dhe shkoja në stërvitje”.

Ai pranoi se bashkëshortja Coleen dhe nëna e tij luajtën rol vendimtar për ta kapërcyer atë periudhë: “Vetëm kur fola me Coleen dhe nënën time, pranova hapur se kisha nevojë për ndihmë dhe nisa ta kapërceja situatën. Coleen më ndihmoi jashtëzakonisht shumë. Mund të më kishte braktisur, sepse gjendja ishte kaq e rëndë, por qëndroi pranë meje”.

Rooney kujtoi se, ndonëse sapo ishte martuar dhe ishte bërë baba, po përjetonte periudhën më të keqe të jetës: “Sot pendohem, sepse ishte kohë e humbur. Kai ishte ende foshnjë. E pranoj se isha egoist, por po kaloja një situatë që e kisha jashtëzakonisht të vështirë ta menaxhoja”.

Ish-futbollisti foli edhe për pasiguritë lidhur me pamjen fizike dhe peshën. Një vit më parë vendosi të ndryshonte stilin e jetesës, duke lënë alkoolin, përmirësuar ushqyerjen dhe ndryshuar stërvitjen: “Ndihesha shumë i pasigurt. Tani ndihem shkëlqyeshëm. Thjesht doja të isha më i shëndetshëm”.

Pas tërheqjes nga futbolli, ai kishte kaluar sërish një periudhë të vështirë, me konsum të tepruar alkooli dhe humbje të rutinës sportive. Sot thotë se ka gjetur ekuilibrin dhe kalon më shumë kohë me Coleen dhe fëmijët.

The post Wayne Rooney rrëfen periudhën më të errët të jetës së tij: Arrita deri në pikën që mendova t’i jepja fund jetës appeared first on Telesport.