Gjatë verës së kaluar u realizua një transferim rekord. 117 milionë paund ishte shuma që Liverpool pagoi për të marrë Florian Wirtz nga Bayer Leverkusen. Megjithatë, aventura e tij në Premier League nisi me vështirësi. Asistimi i parë në kampionat erdhi më 3 dhjetor, ndërsa për golin e parë tifozët pritën deri më 27 dhjetor. Që nga ai moment, lojtari duket i çliruar dhe aktualisht numëron 6 gola dhe 8 asistime në 35 paraqitje, në të gjitha kompeticionet.
Agjenti i tij, Volker Struth, zbuloi se e ardhmja e Wirtz mund të kishte qenë te Real Madridi: “Kur flitej për një transferim te Liverpool ose Bayern Munich, telefonova Xabi Alonson dhe i thashë: A do ta marrësh djalin e Leverkusenit te Reali? Ai m’u përgjigj: Fol me Florentino Perez”.
Struth shtoi se i kishte dërguar mesazh Perezit: “Kam një lojtar që ta rekomandoj fort. Florian Wirtz përmirëson çdo skuadër në botë”. Ai përfundoi: “Atë kohë nuk u bë asgjë për shkak të skuadrës dhe buxhetit, por dëshira ime mbetet që një ditë Florian të luajë atje”.
The post Wirtz iu ofrua Real Madridit në verë? Agjenti zbulon prapaskenën: “Shpresoj të luajë atje” appeared first on Telesport.
