Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se së shpejti pritet shpallja e linjave të reja ajrore me mbështetje financiare nga shteti, ndërsa paralelisht po zhvillohen negociata për vendosjen e lidhjeve ajrore përmes Aeroportit të Ohrit.

Në lidhje me: Nga nëntori, fluturime të reja nga Shkupi drejt pesë qyteteve evropiane

“Dje njoftuam pesë destinacione të reja nga të cilat do të ketë fluturime nga Aeroporti i Shkupit – gjithsej 16 prej kur kjo Qeveri është në pushtet. Për një periudhë të shkurtër, prisni edhe linja të tjera,” deklaroi Nikolloski pas ndarjes së certifikatave për kandidatët që do të ndjekin trajnim për pilotë, me bashkëfinancim nga shteti.

Sipas tij, nga muaji nëntor, “Wizz Air” do të nisë fluturime nga Shkupi drejt Madridit dhe Stokholmit, ndërsa nga dhjetori do të shtohen edhe linjat për në Pragë, Bari dhe Këln. Siç njoftoi sot TAV Maqedoni, do të vendoset edhe linja e paralajmëruar më parë për në Larnakë, Qipro.

Biletat për destinacionet e reja tashmë janë në shitje në faqen zyrtare të “Wizz Air”:

  • Stokholm, Bari dhe Madrid me nga 3 fluturime në javë,
  • Pragë dhe Larnakë me nga 2 fluturime në javë.

Këto fluturime do të nisin në sezonin dimëror 2025/2026, pra në fund të tetorit, fillim nëntori dhe dhjetori.

Nikolloski theksoi se nga pesë destinacionet e reja, katër janë tërësisht të reja.

“Më parë fluturimi quhej për në Stokholm, por aeroporti ishte 100 kilometra larg qytetit. Tani flasim për aeroportin kryesor të Stokholmit. E njëjta gjë vlen edhe për Madridin, Barin, Këlnin dhe Pragën – të gjitha janë aeroporte kryesore. Kjo është një ndryshim i madh, sepse objektivi ynë është të lidhemi me aeroporte sa më afër destinacioneve reale dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim,” theksoi ai.

Sa i përket subvencioneve për linjat ajrore, Nikolloski tha se nuk ka ndryshim në mënyrën e financimit: shteti do të paguajë për çdo pasagjer në ardhje – 9 euro për Aeroportin e Shkupit dhe 12 euro për atë të Ohrit.

Ai shtoi gjithashtu se gjithnjë e më shumë po angazhohet personel vendas. Sipas tij, kompania ajrore me buxhet të ulët “Wizz Air” aktualisht ka mbi 200 të punësuar në Maqedoni, sa një fabrikë e kategorisë së mesme.

Nga TAV Maqedoni theksojnë se linjat e reja ajrore tregojnë përkushtimin e tyre për të zgjeruar lidhshmërinë dhe mundësitë e udhëtimit për qytetarët.

Këto linja do të lidhin Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me destinacione tërheqëse evropiane:

  • Stokholmi – për kulturën skandinave,
  • Bari – si portë drejt Italisë së Jugut dhe Adriatikut,
  • Madridi – si qendër kyçe evropiane për biznes dhe rekreacion,
  • Praga – me sharmin historik të Evropës Qendrore,
  • Këlni – qytet i njohur për historinë dhe kulturën e pasur përgjatë lumit Rajnë,
  • Larnaka – destinacion mesdhetar për plazh gjatë gjithë vitit.

Në gjysmën e parë të këtij viti, nga Aeroporti i Shkupit dhe ai i Ohrit janë transportuar gjithsej 1.5 milion udhëtarë, që paraqet një rritje prej 5 për qind në Shkup dhe 11 për qind në Ohër, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.