Bill Gates ka pranuar përgjegjësinë për lidhjet e tij me Jeffery Epstein gjatë një takimi me punonjësit e Gates Foundation, sipas një deklarate të përfaqësuesit të fondacionit të dhënë për Reuters të martën. Ky reagim vjen pas një raportimi të Wall Street Journal, që njoftonte se Gates kishte kërkuar falje nga stafi për lidhjet e tij me Epstein.

Dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA zbulojnë se Gates dhe Epstein u takuan disa herë pas lirimit të financierit amerikan, për të diskutuar zgjerimin e aktiviteteve bamirëse të themeluesit të Microsoft. Sipas raportimit, Gates i tha stafit të fondacionit se ishte një gabim i madh të kalonte kohë me Epstein dhe të përfshinte në takime disa nga punonjësit e tij.

Gates u citua duke thënë: “Kërkoj falje ndaj njerëzve të tjerë që janë tërhequr në këtë për shkak të një gabimi që bëra.”

Ai gjithashtu pranoi dy lidhje që kishte me gra ruse, të cilat më pas i zbuloi Epstein, por bëri të qartë se këto gra nuk ishin pjesë e viktimave të Epstein. Gates theksoi se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme dhe nuk kishte parë asgjë të paligjshme.

Dokumentet përfshijnë edhe foto të Gates me gra, të cilave u ishte fshehur fytyra për privatësi. Gates kishte deklaruar më parë se marrëdhënia e tij me Epstein ishte e kufizuar vetëm në diskutime bamirëse dhe se ishte gabim të takohej me të. Ai po ashtu tha se Epstein i kishte kërkuar të realizonte disa foto me ndihmësit e tij pas takimeve, dhe bëri të qartë: “Asnjëherë nuk kam kaluar kohë me viktimat apo gratë që e rrethonin atë.”

Fondacioni Gates gjithashtu bëri të ditur se nuk ka bërë asnjë pagesë ndaj Epstein dhe nuk e ka punësuar kurrë për asnjë aktivitet.

/vizionplus.tv