Lamine Yamal foli në konferencë për shtyp para sfidës ndaj Interit në stadiumin “Lluís Companys”.

Si po e përjetoni ju dhe skuadra këtë gjysmëfinale të parë në Champions?
Me shumë emocion, me shumë dëshirë për t’iu treguar tifozëve të Barçës kush jemi. Mezi po pres të kualifikohem në finalen time të pare në Champions League.

Çfarë do t’iu thoni atyre që shprehen se jeni bërë mendjemadh?
Derisa të fitojnë ndaj meje, nuk mund të më thonë asgjë. Kur të më mposhtin, po.

Cili shok skuadre ju ka befasuar më shumë?
Përveç lojtarëve si Pedri apo Raphinha…, më kanë befasuar edhe Iñigo Martínez e Frenkie de Jong. Janë profesionistë të mëdhenj dhe në nivel të jashtëzakonshëm sportiv.

Si do të dëshironit të kujtoheni?
Si futbollist, si një lojtar i mirë. Si njeri, si një djalë i edukuar, kjo është ajo që më kanë mësuar prindërit e mi në shtëpi.

Çfarë veçoni tek Interi i Milanos?
E dimë që janë shumë të fortë në mbrojtje, kjo është arma e tyre kryesore. Janë gjithashtu shumë të shpejtë në kundërsulm, kanë një skuadër të mirë. Ne duhet të luajmë si zakonisht për të kaluar më tej.

Për çfarë ndiheni më krenar në këto 99 ndeshje?
Mendoj se në moshën time pak lojtarë kanë luajtur kaq shumë ndeshje me Barcelonën. Vlerësoj faktin që e kam pasur kokën në vend dhe që jam gjithmonë i motivuar, me vazhdimësi dhe në një nivel të lartë në moshën 17-vjeçare. Nuk besoj se është pak.

A keni pasur ndonjëherë frikë në karrierën tuaj?
Nuk kam pasur frikë, por motivimin e duhur para çdo ndeshje. Frikën e lashë në parkun e Matarós para shumë kohësh.

A ndjeni presion?
Nuk do ta quaja presion. Pritshmëritë e larta i shijoj, i shoh si diçka pozitive, ndjej që duhet ta përjetoj çdo moment.

A është skuadra në formën më të mirë?
Të them të drejtën, ndeshja e fundit ishte nga më të lodhshmet fizikisht. Tensioni dhe rëndësia e ndeshjes bënë që këmbët të mos reagonin më. Kur luan kundër Real Madridit, zemra punon më shumë se këmbët. Këtë sezon e kemi pasur këtë ndjesi, ndoshta diçka që na mungonte në sezonet e shkuara.

Si e shihni Interin?
Me gjithë respektin, kjo nuk është si një ndeshje në La Liga, është një gjysmëfinale e Champions-it. Luhet për të kaluar në një finale të madhe.

Çfarë ju shqetëson më shumë: të ngeleni pa bateri në celular apo një gjysmëfinale Champions-i?
Të them të drejtën, nuk dija çfarë të bëja. Erdha në qendrën stërvitore (Ciutat Esportiva) dhe takova disa shokë. Ajo fikja e përgjithshme (‘blackout’) na vuri shumë në siklet të gjithëve.

Si ndiheni për krahasimet me Messin?
Nuk krahasohem me askënd, aq më pak me Messin, këtë po jua lë juve. Nuk ka kuptim. Unë përpiqem ta shijoj futbollin dhe të ndjek rrugën time. Nuk kam folur me të.

A ndjeni se kjo është epoka e Lamine Yamal?
Shpresoj që të jetë epoka e Barçës, jo e Lamine.

A e dini se Messi nuk ka shënuar kundër Interit…
Eh, ndoshta atij i ka munguar goli vetëm ndaj këtij ekipi, sepse gjithë të tjerëve iu ka shënuar. Unë shpresoj të shënoj ndaj Interit.

Si e përballoni këtë situatë, duke qenë vetëm 17 vjeç?
Në futboll nuk ka moshë. Është një sport që varet nga cilësia dhe mendja e çdo lojtari. Po luajmë në nivel shumë të lartë, edhe pse me një ekip shumë të ri. Mosha është vetëm një numër.

Cilët lojtarë do të veçonit nga Interi?
Më pëlqejnë shumë Barella dhe Lautaro. Interi është një përzierje shumë e mirë e lojtarëve të rinj dhe me përvojë, e shoh shumë të fortë në kundërsulm dhe mbrojtje.

Çfarë këshille ju dha Raphinha?
Ishte një këshillë personale që më duhej në atë moment. Më ndihmoi shumë. Ai është një kapiten, një veteran, një figurë e rëndësishme. Është e rëndësishme që interesohet për mua.

Çfarë rëndësie ka që kaq shumë lojtarë nga “La Masia” luajnë në ekipin e parë të Barcelonës?
Kjo ka shumë rëndësi. Që të vegjël e kemi parë Barçën duke fituar Champions-in, më 2015. Luajmë sepse e ndjejmë këtë fanellë, sepse duam që Barça të fitojë dhe të jetë në krye. Nuk është njësoj të jesh i huaj apo ta luash ‘El Clasico’ si dikush që ka dalë nga ‘La Masia’.

The post Yamal pa frikë, me Barcelonën në shpirt: Kjo nuk është epoka ime, por e Barcelonës appeared first on Telesport.