Ylli i Juventus, Kenan Yildiz, dha një intervistë për “GQ”, në të cilën preku tema të ndryshme, duke përfshirë besnikërinë ndaj bardhezinjve dhe rëndësinë e fanellës me numër 10.

Zgjedhja e Juventus nuk ishte vetëm një vendim professional, ajo bazohej edhe në besim. Ndjeva se kjo skuadër do të më jepte një vizion të qartë. Klubi më pa vërtet, besoi në potencialin tim dhe më ofroi një rrugë rritjeje graduale”, tha turku.

Më tej, Yildiz shtoi: “Një nga gjërat më të rëndësishme për një lojtar të ri është që njerëzit të besojnë tek ai jo vetëm kur luan mirë, por gjatë gjithë zhvillimit të tij. Juventusi më dha këtë ndjesi që nga dita e parë. Kjo është arsyeja pse Juventus mban një vend të veçantë në jetën time. Sepse këtu gjeta vendin e duhur për t’u rritur si lojtar dhe si person“.

Lidhur me fanellën me numër 10, e cila te Juventus është veshur nga legjenda si Del Piero dhe Platini, ai komentoi: “Te Juventus, numri 10 nuk është çfarëdo fanelle. E ndjen që në momentin e parë, sepse e njeh historinë e klubit dhe lojtarët që e kanë veshur para teje”.

“Është një nder i madh dhe një përgjegjësi e madhe për mua. Natyrisht, nuk dua të mendoj vazhdimisht për peshën e kësaj fanelle. Sepse në fund të fundit, ajo që ka rëndësi është të jem në fushë, të luaj futbollin tim dhe të jap kontributin tim për ekipin”, tha Yildiz.

Në fund, ai deklaroi: “Por, jam gjithashtu i vetëdijshëm se kur e vesh atë fanellë, gjithmonë duhet të japësh diçka shtesë për klubin, për tifozët dhe për të gjithë ata që besojnë tek ty.”

The post Yildiz mesazh dashurie për Juve: Ndjeva besim që nga dita e parë, dua ta shkruaj historinë time këtu appeared first on Telesport.