Shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinarinë (AUV) në Maqedoninë e Veriut penguan importin e 20 ton patate të ngrira – patate të skuqura të njohura në treg si “pomfrit”. me afat të skaduar më 23.05.2025.

Patatet, të importuara nga Holanda, ishin destinuar për shitje në tregun vendor, përcjell INA.

Sasia e ndaluar e patateve të ngrira, në praninë e inspektorëve të ushqimit nga Agjencia, u shkatërrua në mënyrë të sigurt të premten në deponinë “Drisla”, bazuar në masën e ndalimit të importit dhe vendimin për shkatërrim të sigurt, thuhet në komunikatën e AUV.

Përveç kësaj, në kuadër të kontrollit të jashtëzakonshëm inspektues tek një operator ushqimor, AUV sekuestroi dhe shkatërroi në mënyrë të sigurt edhe 2.000 kilogramë fileto pule të pasigurta.

“Për shkak të mosrespektimit të procedurave të Mirëmbajtjes Higjenike dhe Mirëpraktikës së Prodhimit, operatorit të ushqimit i është shqiptuar masa e ndalimit të përkohshëm të punës dhe gjobë prej 4.400 eurosh në ekuivalent në denarë,” njoftojnë nga Agjencia.

AUV shton se, në kuadër të kontrolleve të rregullta dhe të jashtëzakonshme nga veterinerët zyrtarë dhe inspektorët e ushqimit, Agjencia vazhdon të zbatojë masa për mbrojtjen e qytetarëve nga konsumimi i ushqimit të pasigurt, duke ruajtur kështu shëndetin e tyre dhe duke mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve.

The post Zbulohen 20 ton patate “pomfrit” me afat të skaduar appeared first on Alsat.