Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkon nga Bashkimi Europian që të çelë “Grupin e Parimeve Themelore” të negociatave për anëtarësim, duke theksuar se Kievi ka përfunduar procesin e brendshëm të harmonizimit me legjislacionin e BE-së më shpejt se çdo kandidat tjetër.

“Jemi plotësisht të gatshëm për të hapur këtë grup-kapitull për negociatat e anëtarësimit në BE. Duhet progres real për këtë”, ka shkruar Zelensky në Telegram, duke shtuar se ka informuar edhe anëtarët e Këshillit Europian.

Ai theksoi se kjo thirrje nuk është vetëm për vendin e tij, por edhe për Moldavinë, e cila sipas tij “e ka dëshmuar qartë zgjedhjen e saj europiane“, si dhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat sipas tij gjithashtu meritojnë të bëhen pjesë e familjes europiane.

“Europa duhet të mbajë premtimet, ashtu siç vendet kandidate po bëjnë pjesën e tyre”, shkruanZelensky, duke theksuar se Ukraina po pret rezultate konkrete.

Ukraina filloi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me BE-në në qershor, pas marrjes së statusit të kandidatit në vitin 2022, ndërsa Moldavia është gjithashtu vend kandidat.