Kuvendi nesër duhet të votojë për propozimin që Nenad Saveski të zgjidhet për kryeprokuror. Saveski, i cili aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, u nominua nga Qeveria më 10 mars. Për të marrë këtë funksion, i duhen të paktën 61 vota deputetësh.
Nenad Saveski ka lindur në vitin 1976, jeton në Gostivar, është i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Ai është magjistër i Shkencave Juridike në të Drejtën Penale, i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë” pranë USHKM në Shkup, ku kreu edhe studimet e tjera. Provimin e jurisprdencës e kaloi në vitin 2003. Arsimin e mesëm e përfundoi në Gjimnazin “Pançe Poposki” në Gostivar.
Saveski nga viti 2016 është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, në degën për krim të organizuar dhe korrupsion.
Më parë, nga viti 2009 deri në 2016, ka punuar si prokuror në Prokurorinë Themelore, ndërsa nga 2004 deri në 2009 ka qenë bashkëpunëtor i specializuar në Gjykatën Themelore të Gostivarit. Në këtë gjykatë nga 2000 deri 2002 ka punuar si praktikant gjyqësor.
Në biografinë e tij janë përfshirë edhe angazhime ekspertësh dhe ndërkombëtare: ka qenë ekspert në OSBE Maqedoni, në Konventën Kombëtare për BE – Neni 23, si dhe në projekte të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe USAID.
Ai është pjesë e grupeve të punës për reforma gjyqësore dhe ligjore, ka punuar në projekte për masa të veçanta hetimore, paraburgim dhe procedurë penale.
Nga karriera akademike, Saveski është ligjërues në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë, tutor dhe trajner kombëtar në programin HELP të Këshillit të Evropës, si dhe trajner për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë penale.
Ai është autor dhe bashkëautor i punimeve për masa të veçanta hetimore, lirinë e shprehjes, shpifje dhe ofendim, konfiskimin e pasurisë, të drejtën e privatësisë, si dhe udhëzues dhe publikime të tjera profesionale.
Shkruan dhe flet gjuhët maqedonase, angleze, gjermane, serbe dhe ka njohuri bazë të gjuhës shqipe.
Pas propozimit të Qeverisë, me 61 vota deputetësh, nesër pritet të zgjidhet kryeprokuror.
