Zgjedhjet lokale pritet të shpallen në dhjetëditëshin e parë të muajit gusht – kështu deklaroi kryeparlamentari Afrim Gashi gjatë një vizite në Tetovë, së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Dhjetëditëshi i parë i gushtit do të jetë një prej ditëve kur do të shpallen zgjedhjet, do të shohim edhe pak dinamikën e sjelljes së ligjeve në Kuvend, nëse ka ligje që janë me rëndësi do të mundohemi të punojmë sa më gjatë dhe të arrijmë në shpalljen e zgjedhjeve dhe të arrijmë afatet ligjore në shpalljen e zgjedhjeve, mos pengojnë në proceset tjera në Kuvend dhe organet tjera të administratës shtetërore.”, tha Afrim Gashi – kryeparlamentar.
Kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, u pyet lidhur me kandidaturën e Bajram Rexhepit si kundërkandidat. Duke qeshur, Kasami tha se i uron sukses.
“Nuk qeshi vetëm unë, shumë të tjerë qeshin këtu , ju uroj sukses kundër kandidatit, është vendim i tyre. Ne nuk e kemi garën as me Bajram Rexhepin, sigurisht se gara jonë është me përgjegjësitë që i kemi marr dhe nëse këto përgjegjësi më jepen edhe njëherë nga koalicioni VLEN, ne do të vazhdojmë të punojmë në drejtim të realizmit të këtyre projekteve”, tha Bilall Kasami, kryetar I komunës së Tetovës.
I pyetur nëse, në rast humbjeje të koalicionit VLEN në zgjedhjet komunale, do të shqyrtohet pjesëmarrja në qeveri, Kasami u përgjigj se VLEN do të jetë fitues absolut në shumicën e komunave.
