MPB nga mëngjesi po kryen kontrolle në kafenenë Klasik që është në pronësi të Dejan Jovanov-it, pronarit të diskotekës Puls. Pikërisht ky lokal u demolua nga banorët e revoltuar të Koçanit pas tragjedisë në të cilën humbën jetë 59 persona. Gjithashtu nga dje në stacion policorë janë thirrur edhe bashkëshortja dhe vajza e Jovanov-it, me çka zgjerohet hetimi për këtë tragjedi. Organet hetuese të Prokurorisë publike kanë kryer bastisje për akumulimin e dokumentacionit në lidhje me ngjarjen tragjike edhe në Inspektoratin shtetëror të tregut në Koçan dhe Vinicë.

“Ekziston një aksion i përbashkët, punë e MPB-së dhe PTHP-së që rezultoi me 34 persona të ndaluar për të cilët kishte edhe dyshime të vogla për involvim në këtë rast, por, do të përsëris, nuk do të ndalemi këtu. Rasti do të zgjerohet, por gjithashtu opinioni është i ndjeshëm dhe me disa raste nga e kaluara që tani duhet të presim që të shohim nëse Prokuroria ka ambicie dhe këtu të konstatohen disa parregullsi nga e kaluara”, tha Hristijan Mickoski.

Nga LSDM pyesin se pse nuk janë përfshirë edhe funksionarët aktual të vendosur nga VMRO-DPMNE-ja.

“Në mënyrë logjike parashtrohet pyetja, pse drejtori aktual i ISHT-së, Vllatko Stojkoski nuk është përfshirë me hetimin? Edhe pse bart përgjegjësi edhe më të madhe për mbikëqyrjen e objektit “Puls” në periudhën para dhe gjatë ngjarjes penale-juridike”, deklaroi Jon Frçkovski.

Mickoski i hodhi poshtë kritikat e tilla dhe i vlerësoi si kualifikime paushale. Në lidhje me moratoriumin e paralajmëruar të lokaleve gastronomike, por edhe objekteve shtetërore, tha se do t’u jepet kohë aq sa kanë nevojë që të përmirësojnë mangësitë.

“Sigurisht që ato nuk do të punojnë në atë periudhë, por do ta shfrytëzojnë për të shmangur mangësitë, për shkak se kjo nuk mund të shndërrohet në proces gjyqësor pa gjykim për shkak se diçka që zgjat tre dekada dhe është bërë gabim, ne për 9 muaj po përpiqemi ta kanalizojmë dhe të vendosim në rend”, tha Mickoski.

Në inspektimet e deritanishme të lokaleve është vërtetuar se pjesa më e madhe e tyre nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë dhe kriteret për punë.