Si një rrufe, goli ndaj Chelsea mund t’i ndryshojë fatin Edon Zhegrovës te Juventusi. I shpejtë dhe shpërthyes si vetë ai, por që në vitin e parë bardhezi e pa realitetin me nuanca të zbehta. Disa shpërthime të menjëhershme, që u ndriçuan sytë tifozëve, por pak konkretizim, me asnjë gol në fund të sezonit të tij të parë në Itali. Madje, goli që ndikoi më shumë në aventurën e Zhegrovës te Juventusi ishte ai i gabuar në ndeshjen “play-off” ndaj Galatasaray, një barrë që kosovari e mbajti gjatë gjithë pjesës tjetër të sezonit.

Tani, një gol i mrekullueshëm mund të përfaqësojë një tjetër kthesë, këtë herë pozitive, për një lojtar që kishte impresionuar menjëherë Spallettin me cilësitë e tij: “Më ka impresionuar për shpejtësinë që ka, sepse është vërtet një rrufe në hapësira të ngushta”.

Një rrufe që ka shfaqur shkëndija klasi, si ajo që menjëherë hyri në histori si “zeppetta”. Spalletti shpjegon: “Dhe pastaj ka këtë lloj ndjeshmërie në prekjen e topit, për të të bërë atë ‘zeppettina’…”
Po çfarë është “zeppetta”? “Është ajo lëvizja kur e çon topin paksa mbi kundërshtarin, me rrotullimet e kontrolluara, duke ia kaluar topin sipër. Kjo është cilësi, teknikë, shpejtësi”, – shpjegon Spalletti.

Megjithatë, cilësitë e tij janë penguar nga gjendja fizike, me pubalgjinë që e ka shqetësuar Zhegrovën gjatë gjithë sezonit të kaluar. Goli ndaj Chelsea dhe kombinimi teknik e i shpejtë me Yildiz na treguan një lojtar tjetër: jo vetëm spektakolar në pamje të parë, por edhe konkret. Tani që kosovari duket se i ka lënë pas problemet fizike, mund të bëhet vërtet një armë shtesë për Spallettin; rrufeja që i duhet Juventusit për të dhënë shkëndijën e duhur.

 

The post Zhegrova dhe goli që mund t’i ndryshojë jetën; Spalletti është dashuruar me… “zeppetta” appeared first on Telesport.