Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë lënduar në një zjarr që shpërtheu këtë mëngjes në një magazinë parfumerie në Dilovasi, një qytet në pjesën veriperëndimore të Turqisë, përcjell TV21.

Sipas pamjeve të transmetuara nga kanali turk NTV, zjarri shkrumboi dy kate të ndërtesës ku ndodheshin magazina dhe punishtja e prodhimit të parfumeve.

Aktualisht nuk dihen shkaqet e shpërthimit të zjarrit, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur rastin.

“I kërkoj Allahut mëshirë për vëllezërit tanë që humbën jetën në zjarrin që ndodhi në një magazinë në distriktin Dilovasi të Kocaelit. Ministria jonë e Punës dhe Sigurimeve Sociale, si dhe njësitë përkatëse, kanë nisur hetimet lidhur me zjarrit. I shpreh ngushëllimet e mia familjeve dhe të afërmve të vëllezërve që vdiqën, ndërsa uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, ka shkruar presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.