Zjarrfikësit në Oregon janë duke luftuar me flakët që rrezikojnë njërin prej bredhave më të mëdhenj dhe më të vjetër në botë, të njohur si “Doerner”. Kjo pemë monumentale, e cila arrin mbi 99 metra lartësi dhe ka mbi 4 shekuj jetë, tashmë ka pësuar dëmtime të lehta nga zjarri që shpërtheu të shtunën.
Kushtet e vështira atmosferike – temperaturat e larta dhe thatësira – po ua bëjnë punën edhe më të ndërlikuar zjarrfikësve. Për të shpëtuar bredhin, autoritetet po shqyrtojnë edhe mënyra të pazakonta, si ngritja e skelave për të arritur lartësitë e pemës dhe shuar flakët.
Edhe pse nuk dihet ende shkaku i zjarrit, zyrtarët sigurojnë se, megjithëse rreziku ekziston, nuk pritet që bredhi i famshëm të digjet plotësisht.
