Pas vetëm 72 orë, pas publikimit të rastit në TV21, janë grumbulluar mjetet për rindërtimin e çatisë së familjes Alii nga Haraçina e Shkupit. Axhën Reshat kësaj here e gjetëm me humor më të mirë dhe në sytë e tij ishte rikthyer shpresa për një të nesërme më të mirë.
-Zoti i shpërbleftë kush ka pasur mundësi me ndihmu.
-Paratë janë grumbulluar?
-Paratë janë grumbulluar për çatinë. I falënderoj të gjithë që kanë mundur të na ndihmojnë. Për dëmet tjera çka të mundemi me rregullu vetë, do ta rregullojmë, kur të mundemi atëherë!
Të shtunën kjo familje përmes emisionit EDHE UNË JAM KËTU dërgoi apel për ndihmë për shkak se ishte djegur çatia e dy shtëpive në të cilat jetojnë familja 11 anëtarësheAlii.
-Në orën tetë apo sdi sa ka qenë ora, vetëm se djali më thirri, më tha cohu se u dogjëm.
-A keni dëm të madh material?
-Ka, dy shtëpi janë djegur.
-Çka është dëmtuar më së shumti, pajisjet elektrike, shoreti….
-Gjithçka që kemi pasur është djegur!
Zjarri në çatitë e shtëpive të familjes Alii ka shpërthyer para 4 ditëve rreth orës 9 të mëngjesit, ku për fat të mirë ka vetëm dëme materiale e jo viktima. Pasi që ky rast u publikua të shtunën në TV21, pas vetëm 72 orëve mjetet e nevojshme për rregullimin çative janë grumbulluar.
