Qeveria zvicerane njoftoi sot se mbështet një zgjidhje jashtëgjyqësore të rastit të zjarrit në një bar në qendrën e skijimit Crans-Montana, ku humbën jetën dhjetëra persona, kryesisht të rinj.
Qeveria në Bern ka emëruar ekonomistin dhe ish-politikanin kantonal Laurent Kurt për të kryesuar një tryezë të rrumbullakët që duhet të bashkojë viktimat, familjet e tyre, kompanitë e sigurimeve, personat potencialisht përgjegjës dhe institucionet.
“Kurt ka përvojë të gjerë në menaxhimin e proceseve komplekse me shumë palë të përfshira”, thuhet në njoftim.
Qëllimi është të lehtësohet dialogu dhe të ndihmohen palët e përfshira për të arritur marrëveshje jashtë gjykatës.
Zjarri shpërtheu gjatë një feste të Vitit të Ri në barin “Le Constellation”, ku humbën jetën 41 persona dhe rreth 80 u plagosën, shumica rëndë.
Shkëndijat nga fishekzjarrët e brendshëm ndezën shkumën në tavan.
Pronarët e barit, Jessica dhe Jacques Moretti, si dhe disa zyrtarë komunalë, janë nën hetim për neglizhencë që shkaktoi vdekje, lëndime trupore dhe zjarr.
Objekti, në kundërshtim me rregullat, nuk ishte kontrolluar për mbrojtje nga zjarri që nga viti 2019.
