Liverpulli ka finalizuar marrëveshjen për transferimin e Hugo Ekitike nga Aintraht Frankfurt, duke siguruar një nga goditjet më të mëdha të këtij afati kalimtar veror.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, të dy klubet kanë arritur një marrëveshje për një shumë që kap vlerën mbi 90 milionë euro, ndërsa me bonuse të përfshira ajo mund të arrijë deri në 95 milionë euro. Ekitike do të firmosë një kontratë gjashtëvjeçare, e vlefshme deri në qershor të vitit 2031, ndërsa të gjitha kushtet personale janë dakorduar që më herët.

Romano thekson se 22-vjeçari francez e kishte bërë të qartë që Liverpulli ishte prioriteti dhe destinacioni i tij i vetëm, pavarësisht interesimit nga klube të tjera evropiane. Forma mbresëlënëse e Ekitike sezonin e kaluar, me 22 gola dhe 12 asistime e bëri atë një nga objektivat kryesorë të “The Reds”, veçanërisht pasi Njukasëll refuzoi të shesë Aleksander Isakun.
Hugo Ekitike do t’i bashkohet skuadrës së Arne Slot menjëherë, teksa Liverpulli vazhdon të rindërtojë sulmin për sezonin e ri në Premier Ligën.
The post Zyrtare, Hugo Ekitike do të vesh fanellën e Liverpullit appeared first on Alsat.
