Dejan Savicevic, legjendë e Milanit, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku ka folur për dyshen e re sulmuese të kuqezinjve, João Félix dhe Santiago Giménez: “Tifozët duhet të kthehen të ëndërrojnë. Milani është një skuadër e madhe, ka në fanellë një stemë me shtatë Champions League. E kuptuat? Shtatë! “Djalli” është histori. Jam shumë krenar që kam qenë pjesë e një prej skuadrave më të mira në botë dhe të njëjtën ndjenjë do ta kenë edhe blerjet e reja”.

Pesë përforcime në një merkato të vetme dimërore…
Skuadra po forcohet. Më vjen keq që shiti Bennacer, më pëlqente shumë si lojtar. Për Sottil nisem nga (mbi)emri, babai i tij ishte një futbollist i mirë.

Tani të gjithë thonë se Milani është i detyruar të fitojë…
E ka fituar tashmë një trofe në këtë sezon, duhet të synojë Kupën e Italisë dhe një vend në Champions League. Do t’ia dalë, duhet ta bëjë këtë.

A mund të luajnë bashkë João Félix dhe Giménez?
Mendoj se po. Gjithsesi, ka një trajner dhe Sérgio Conceição më duket personi i duhur, sidomos për João Félix, i cili është një talent i madh dhe duhet rikthyer në formën e tij më të mirë. E kam parë në fushë, shoh mënyrën se si lëviz, si driblon dhe si merr pjesë në lojë… Potenciali është aty.

Thuhet se João Félix është i trishtuar…
Te Milani nuk mund të jesh i trishtuar apo të rrish me fytyrë të ngrysur. Conceição do ta ndihmojë të përshtatet. Janë të dy portugezë, flasin të njëjtën gjuhë dhe me siguri e kuptojnë futbollin në të njëjtën mënyrë.

Po Giménez?
Nuk e njoh shumë, por kam parë që shënon në mënyrë të vazhdueshme. Për më tepër, kur Ibrahimović thotë se një lojtar është i fortë, atëherë ai vërtet është i fortë.

The post “João Félix dhe Giménez mund të luajnë bashkë, tifozët e Milanit duhet të ëndërrojnë” appeared first on Telesport.