Ronaldo Nazário, ish-sulmuesi legjendar brazilian, ka folur hapur për marrëdhënien e tensionuar mes Barcelonës dhe lojtarëve brazilianë, që kanë luajtur për klubin katalanas. Në një intervistë me Romário, të publikuar në YouTube, ai ka treguar se largimi i tij nga Barça ishte si një “grusht në stomak”, duke vënë në dukje se edhe yje të tjerë brazilianë si Romário, Rivaldo, Ronaldinho dhe Neymar janë larguar në mënyrë të ngjashme, me konflikte dhe pakënaqësi.
Ronaldo ka theksuar problemet e menaxhimit te Barça, duke thënë: “Atje kanë një problem të madh menaxherial prej shumë kohësh”.
Ai kujton se pas një sezoni spektakolar te Barça, kishte arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës, por brenda pesë ditëve klubi e informoi se nuk mund të vazhdonte më dhe e transferoi tek Interi i Milanos: “Isha i dashuruar me qytetin dhe klubin, por nuk pata asnjë mundësi për të qëndruar”.
Më tej, ai vuri në dukje se shumë yje brazilianë kanë pasur largime të ngjashme nga Barça: “Romário u largua i zemëruar, Rivaldo u largua me probleme, Ronaldinho po ashtu, Neymar gjithashtu… Barça ka një histori të çuditshme me lojtarët e suksesshëm brazilianë”.
Lidhur me administratën aktuale të klubit, Ronaldo nuk e kritikoi drejtpërdrejt, por tha se në “momente kyçe”, Barcelona ka marrë vendime të papritura për tifozët.
Ronaldo u bashkua me Barcelonën në vitin 1996 nga PSV Eindhoven dhe pati një sezon të jashtëzakonshëm, por u largua më 1997 për tek Interi. Më pas, pas triumfit në Botërorin 2002, u transferua te Real Madridi, ku u bë pjesë e skuadrës legjendare të “galaktikëve” së bashku me Luis Figo, Roberto Carlos, Raúl, Zinedine Zidane dhe David Beckham.
Në të njëjtën intervistë, Ronaldo foli edhe për kombëtaren e Brazilit dhe strategjinë që duhet të ndjekë në Kampionatin Botëror 2026: “Brazili duhet ta ndërtojë lojën e tij rreth Neymar dhe Vinícius Júnior. Ata janë dy shtylla të rëndësishme. Duhet gjetur një sistem që të funksionojë për ta”.
Ai theksoi se Neymar, pavarësisht dëmtimeve, mbetet një figurë kyçe për Brazilin dhe se talenti i tij “mbulon problemet strukturore të futbollit brazilian”: “Neymar është një lojtar që frymëzon të rinjtë, ka personalitet, nuk ka frikë nga goditjet dhe shënon gola të rëndësishëm”.
Për Vinícius Júnior, Ronaldo tha se performanca e tij te Real Madridi është “e çmendur”, por ende nuk po arrin të shkëlqejë njësoj me kombëtaren.
Ronaldo sugjeroi se Brazilit i duhet një trajner i huaj, duke argumentuar se trajnerët brazilianë janë sot “dy hapa prapa nivelit ndërkombëtar”: “Ne dominonim futbollin botëror për shumë vite, por tani duhet të pranojmë me përulësi që na kanë kaluar”.
Ai e vlerësoi shumë portugezin Abel Ferreira, trajnerin e Palmeiras, si një shembull të trajnerëve të huaj që mund të sjellin ndryshimin.
Në fund të intervistës, Ronaldo deklaroi se ndihet i gatshëm për të qenë president i CBF në të ardhmen dhe premtoi një “menaxhim efikas”, duke rritur investimet dhe rikthyer Brazilin si një superfuqi të futbollit botëror: “Qëllimi im është që futbolli të bëhet një forcë transformuese në Brazil”.
The post Romario interviston Ronaldon: Largimi im nga Barcelona ishte si një grusht i fortë në stomak… appeared first on Telesport.
