Pas rreth dhjetë ditëve qëndrimi në Uashington, kryeministri Mickoski u nis drejt për në lagjen Çento të Shkupit. Siç tha, ka aterruar në aeroport rreth 15 minuta para ngjarjes për rindërtimin e qendrës kulturore.
Thotë se në Uashington ishte për ta thënë të vërtetën për Maqedoninë dhe për të ndërtuar një aleancë. Duhet të fillojmë të fitojmë në Uashington, Bruksel, Berlin, Paris, Romë, Londër e kudo tjetër ku, siç thotë ai, për shkak të politikanëve të papërgjegjshëm, nuk kemi pasur ambicie të tilla.
“Të gjithë i kuptojnë argumentet tona, të gjithë pas perdes ndalen, shtrëngojnë duart, thonë kështu është, kjo është e vërteta, mjaft me standarde të dyfishta, duhet të ecni përpara. Por, për fat të keq, ka disa shtete anëtare të BE-së, një shtet anëtar i BE-së, të gjithë e dimë, që po përpiqet të kthehemi në mesjetë ose në shekujt 11, 12 në vend që të punojmë në shekullin 21 ose 22. Epo, ky është realiteti”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër i RMV.
Por ka një realitet tjetër në Shtetet e Bashkuara, dhe ai është politika e administratës së re, pas ardhjes së presidentit të ri Donald Tramp. Administrata e tij, e udhëhequr nga zëvendëspresidenti Xh.D. Vans, ka bërë sulme verbale dhe kritika ndaj Europës. I pyetur se si e komenton atë që e kanë vlerësuar si i vetmi lider europian që duartrokiti fjalimin e zëvendëspresidentit amerikan Xh.D. Vans dhe nëse vendi po shkon drejt ekstremit të djathtë, Mickoski u përgjigj:
“Kjo është linja, kjo është normalja e re që po vjen në Uashington dhe që do të vërshojë botën, dhe e dimë, këtu nuk ka lojë. Tani, ne jemi të parët që kemi zënë fushën, kjo është mënyra ime e punës, nuk ka asnjë shans të dytë për përshtypjen e parë. Merre terrenin dhe kushdo që vjen pas teje, i dyti, i treti, rreshtohet pas teje. Ne duhet të pushtojmë terrenin dhe të gjejmë një normalitet të ri brenda tij”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër i RMV.
Sipas tij, qëllimi është që të tregohet e vërteta për Maqedoninë dhe gjithçka që po ndodhte. Kryeministri njoftoi se të premten do të ketë një drekë private me presidentin turk Erdogan në Stamboll për të riafirmuar partneritetin strategjik mes dy vendeve, si dhe do të marrë pjesë në konferencën e ardhshme qeveritare në Budapest, nga ku do të dërgojë mesazhe.
