Mbrëmjen e djeshme, në kampionatin Paulista, Santosi mori një fitore të rëndësishme me rezultatin 3-0 ndaj Inter de Limeira. Protagonisti i padiskutueshëm i ndeshjes ishte Neymar, i cili kontribuoi në të tre golat e mysafirëve, duke shënuar një gol, atë të 2-0, dhe dhënë dy asiste për Tiquinho Soares, autor i një dopiete.
Në pjesën e parë, ish-ylli i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain pati një përplasje me tifozët vendas, të cilët e vërshëllyen kur po përgatitej të ekzekutonte një këndore. Neymar iu përgjigj duke vendosur duart në veshë, sikur të dëshironte të thoshte se “nuk po dëgjon”, përpara se të shënonte golin e dytë për Santosin direkt nga këndi, me një trajektore që preku shtyllën e dytë, përpara se të futej në rrjetë. Një gol olimpik klasik.
Pas ndeshjes, Neymar foli mbi këtë moment në një intervistë për “TNT Sports”: “Po përgatitesha për të ekzekutuar këndoren dhe tifozët kundërshtarë më provokuan. Fillimisht dhashë asistin e parë. Ata e bënë përsëri, kështu që thashë me vete se duhej të shënoja një gol olimpik. Dhe e bëra…”
The post Neymar, pas golit “olimpik”: Tifozët më provokuan, ua ktheva reston me një gol dhe dy asite appeared first on Telesport.
