Ëndrra për ta parë Lionel Messin sërish me fanellën e Barcelonës rikthehet herë pas here, por këtë herë duket thjesht fantashkencë. Sipas disa zërave, drejtuesit e klubit blaugrana po shqyrtojnë idenë e rikthimit të argjentinasit në “Camp Nou” pas skadimit të kontratës së tij me Inter Miami, më 31 dhjetor 2025.

Megjithatë, mediat kryesore katalanase e kanë mohuar menjëherë këtë lajm. Guillem Balague, autori i biografisë së Messit, ishte i prerë: “Ai nuk ka ndërmend të rikthehet te Barcelona. Do të thoja se është e pamundur për sa kohë që Laporta është në krye. Ka shumë gjasa që Inter Miami ta bindë të qëndrojë”.

Nëse një rikthim i Neymarit te Barça mund të merret në konsideratë, ai i Messit duket i paarritshëm. Argjentinasi pritet ta përfundojë karrierën e tij në SHBA, duke vazhduar aventurën në MLS.

Ylli argjentinas, i lumtur në Miami
Një vit e gjysmë pas mbërritjes në SHBA, Lionel Messi vazhdon të theksojë se periudha e kaluar në Miami nuk ka asnjë lidhje me përvojën e tij në Paris. Në një intervistë për “Apple Music”, partner i MLS, fituesi i tetë “Topave të Artë” deklaroi: “Të luaja tek Inter Miami ishte një mundësi, veçanërisht pas asaj që ndodhi gjatë viteve të fundit në Paris. Ishte një ide që gjithmonë e kisha në mendje”.

Mbi vitet në Paris: “Ishte një vendim që duhej ta merrja me urgjencë, sepse më duhej të largohesha nga Barcelona. Ato dy vite nuk ishin të këndshme për mua. Nuk isha i lumtur në jetën e përditshme, në stërvitje, gjatë ndeshjeve. Kisha vështirësi të përshtatesha me gjithë këtë”.

Sulmuesi argjentinas 37-vjeçar, i cili synon të vazhdojë të ndihmojë rritjen e Inter Miamit, ka konfirmuar se për momentin dëshiron të qëndrojë në MLS: “Më pëlqen vendi ku ndodhem, ajo që bëj, stërvitja e përditshme, ndeshjet, shokët e ekipit, familja ime. Sinqerisht, jam i lumtur dhe jetoj ditë pas dite, nuk kam menduar shumë për të ardhmen”.

Një karrierë e jashtëzakonshme: “Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të përjetoja atë që kam përjetuar dhe të kisha një karrierë si kjo. Nuk e kam menduar asnjëherë. I vetmi objektiv dhe ëndrra ime e vetme, që kur isha fëmijë, ishte të bëhesha futbollist profesionist”.

The post Leo Messi, rikthim i pamundur te Barcelona. “Vulën” e vendos autori i biografisë së tij appeared first on Telesport.